Truproja e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili përfundoi në paraburgim për shkak të dhunës në familje ndaj bashkëshortes, është pjesë e pararojës, ndërsa bashkëshortja e tij është vajza e një kolegu të tij nga fakulteti. Kryeministri zbuloi detaje për rastin e dhunës në familje, në të cilin është i përfshirë një pjesëtar i sigurimit të tij më të gjerë dhe tha se kjo është dëshmi se ligji vlen njësoj për të gjithë.
“Ky është rasti i dytë për një person nga sigurimi im ku ligji vlen për të gjithë, ndryshe nga e kaluara kur anëtarë të sigurimit të presidentit rrihnin qytetarë, bënin sjellje të shfrenuar nëpër diskoteka dhe kalonin pa u ndëshkuar, në këtë rast shihni një shkelje të vogël dhe menjëherë sistemi funksionon. Kjo është edhe një dëshmi tjetër dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Mungesë disipline unë nuk toleroj, jo vetëm brenda kornizës së sigurimit tim. Përndryshe, për hir të së vërtetës, ai është pjesëtar i pararojës të cilën nuk e shoh aq shpesh, ndërsa për hir të së vërtetës, bashkëshortja është vajza e një kolegu tim nga fakulteti”, tha Mickoski.
Nga opozitarja LSDM kërkuan dorëheqje nga Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski.
“Nëse policia e Toshkovskit janë rrahës dhe pjesëmarrës në dhunë familjare, nuk ka sistem që mund të vendoset për parandalim e as për mbrojtje të viktimave. Policia është e poshtëruar, përparojnë kuadro që mund të vijnë nga rruga ose nga VMRO, e jo njerëz që me vite përsosen në shërbim. Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Pançe Toshkovski të marrë përgjegjësi morale dhe të japë dorëheqje?”, tha Natasha Popoviq.
Truproja tashmë është në paraburgim 8-ditor, i cili iu caktua nga Gjykata Penale e Shkupit. Sipas buletinit zyrtar të MPB-së, pjesëtari i sigurimit (R.R.) është larguar nga vendi i punës. Ngjarja ka ndodhur më 2 maj, rreth orës 23:00, kur bashkëshortja e tij 37-vjeçare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare, ku ndaj saj ishin drejtuar edhe kërcënime.
