Mickoski paralajmëron ulje të çmimit të diezelit deri në 6,5 denarë! Qeveria nesër e rikthen TVSH-në për benzinën në 18% – akcizat ulen me 2 denarë

TË FUNDIT

Ulja e çmimit të karburantit dizel nga 6 deri në 6,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës të mbetet i njëjtë ose të rritet për gjysmë denari. Këto janë pritjet e kryeministrit Hristijan Mickoski, të bazuara në përllogaritjet e Qeverisë. Komisioni Rregullator për Energjetikë vendimin do ta marrë të hënën.
Ndërkohë, Qeveria nesër në seancë do të vazhdojë disa masa të cilave u skadon vlefshmëria të hënën. Plani është që TVSH-ja për benzinat të kthehet në 18%, ndërsa të mbetet ulja prej 2 denarësh në akciza si për benzinën ashtu edhe për dizelin.

“Po negociojmë me OKTA-n për të parë si do të jetë. Ndoshta prej aty mund të marrim zbritje shtesë, të paktën për gjysmën e dytë, përkatësisht për gjysmën e parë të muajit qershor. Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto masa, atëherë pres që çmimi i benzinave të mbetet i njëjtë ose të ketë rritje të vogël prej gjysmë denari, ndërsa dizeli të ulet rreth 6 deri në 6,5 denarë”, tha Mickoski

Se nesër do të ketë seancë qeveritare për vazhdimin e masave, e paralajmëroi edhe zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, në emisionin “Biznis 21”. Ai tha se rebalanci i buxhetit është drejt përfundimit dhe deri në mes të qershorit do t’i dorëzohet Qeverisë. Për masa lidhur me inflacionin dhe rritjen e çmimeve të ushqimit, për momentin ende po shqyrtohen. Por, Jankullovski tha se nëse ka nevojë për masa të targetuara për qytetarët dhe kompanitë më të rrezikuara, do të sigurohen mjete në buxhet.

“Këto janë masa që në këtë moment po diskutohen me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Politikës Sociale. Derisa t’i definojmë konkretisht, nuk mund të jap detaje.”

“- A planifikohen në rebalanc?”

“Nëse vazhdon ky nivel i çmimeve dhe nëse arrijmë t’i stabilizojmë me masat që përmenda, atëherë nuk do të ketë nevojë për masa shtesë të targetuara.”

Inflacioni në prill arriti në 5,7 për qind, ndërsa tek ushqimet ishte 8 për qind. Jankullovski konfirmoi se me rebalancin e buxhetit do të rishikohet rritja e inflacionit për këtë vit nga 2,5 në 4 për qind. Ndryshime do të ketë edhe te rritja e BPV-së, e cila do të ulet nga 3,8 në 3,5 për qind.