VMRO-DPMNE dhe partitë e koalicionit “Ripërtëritje për Maqedoninë” për një orë bllokuan rrugën “Ilindenska” para Qeverisë në shenjë proteste për bllokadën që po shkaktohet nga Bullgaria në rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Kjo protestë erdhi pas mbledhjes që kreu opozitar, Hristijan Mickoski, kishte me partitë e koalicionit, e pas çka dolën me përfundime të përbashkëta si qëndrimi në dispozitën kushtetuese për karakterin antifashist të luftës nacionalçlirimtare, pakontestueshmëria e gjuhës dhe identitetit maqedonase dhe njohja e pakicës maqedonase në Bullgari. Mickoski po ashtu bëri thirrje që fqinji lindor të respektojë historinë maqedonase. Mickoski paralajmëroi Qeverinë aktuale që të mos bëjë pazare me interesat nacionale ndërsa tha po ashtu se kjo qeveri është jotransparente në bisedimet që po bëhen mes Shkupit dhe Sofjes. Mickoski i bëri thirrje edhe faktorit evropian që të angazhohen në hapjen e negociatave anëtarësuese. Nëse Qeveria nuk bëhet më konstruktive rreth kësaj çështjeje Mickoski paralajmëroi takim të të gjithë liderëve opozitarë, për të folur për të ardhmen e Maqedonisë.
Mickoski theksoi se pret mbështetje nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
“Koalicioni për Ripërtëritjen e Maqedonisë i bën apel Republikës së Bullgarisë të mos e bllokojë të ardhmen evropiane të Maqedonisë, por përkundrazi, ta përkrahë të njëjtën dhe në këtë mënyrë të tregojë miqësi të vërtetë mes qytetarëve të dy shteteve. Ja ryshfeti nuk ndihmoi! Ryshfeti, presionet, shantazhet dhe ato zgjedhje mafioze-talibane nuk ndihmuan. Ende pa u bërë 100 ditë ne jemi para humnerës dhe mendoj se edhe z.Sela dhe z.Gashi si dhe liderët e tjerë politikë që ia mendojnë të mirën Maqedonisë do të ulemi së bashku dhe do të flasim. Edhe ata që janë në Qeverinë e Zoran Zaevit do të përpiqen t’i thërras në një takim”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
