Mickoski: Pak gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar janë bastioni i fundit i kriminelëve, edhe ata do t’i mposhtim

TË FUNDIT

Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbrëmë në festimin e ditëlindjes së partisë në Strumicë, dërgoi mesazh se të gjithë ata që kanë kryer krime do të përballen me drejtësinë. Ai tha se gjatë dy viteve të fundit janë arrestuar ish-funksionarë dhe funksionarë të lartë aktualë.

“Na akuzojnë se kemi pasur pakt me qeverinë e kaluar dhe se për këtë arsye nuk i kemi arrestuar. Gjatë dy viteve të fundit para drejtësisë janë nxjerrë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, prokurorë, kryetarë të Këshillit të Prokurorëve, ish-zëvendëskryeministra, ministra, drejtorë dhe e gjithë kjo është bërë pa hyrë në shtëpitë e tyre para syve të familjarëve dhe fëmijëve të tyre. Këtë e bëjmë që askush të mos poshtërohet, por dua të dërgoj një mesazh të qartë nga Strumica. Do t’i ndjekim kudo që të jenë, sepse me krimin dhe kriminelët nuk ka pakt e as aleancë. Prandaj janë të shqetësuar, prandaj janë nervozë. Bastioni i tyre i fundit dhe më i fortë janë një numër i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, por edhe ata do t’i mposhtim, nga i pari deri te i fundit”, tha Mickoski.