Mickoski nuk do regjistrim në 2021, do zgjedhje! Jançevi dhe Dimitrievski paralajmëruan kandidatura për mandat të dytë

TË FUNDIT

Edhe pse kërkon shtyrje të regjistrimit deri në pranverë të vitit të ardhshëm për shkak të sigurisë së shëndetit të qytetarëve nga Covid-19, njëkohësisht Hristijan Mickoski këmbëngul edhe për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Bile zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Shtip dhe Pllasnicë që u mbajtën para Vitit të Ri, ishin bojkotuar nga VMRO-DPMNE, sepse nuk ishin dakordë që të ketë zgjedhje në kohë pandemie.


“Sa më shpejt që është e mundur të mbahen zgjedhjet e parakohshme, sepse kjo shumicë e vogël, jostabile dhe e brishtë tregoi se Maqedonia është një regjim hibrid”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për mbajtjen e zgjedhjeve lokale biseduan edhe bashkëbiseduesit në emisionin e mbrëmshëm “Klik Plus” të TV21, kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski dhe ai i Kavadarit, Mitko Jançev, të cilët konfirmuan se do të kandidohen sërish. Dimitrievski theksoi se duhet të ketë lista të hapura jo vetëm për lokalet, por edhe për ciklet e tjera zgjedhore.


“Subjektet politike japin kandidatë në listat e kandidatëve ku shumë herë, shpeshherë ndodh që individët më cilësorë të vendosen në pozitat jo fituese ndërsa në pozitat fituese vendosen lojtarë partiakë siç i quajnë në mënyrë popullore, dhe shpeshherë thonë – unë do të jem përpara si udhëheqësi e partisë për të prirë. Në kongresin e fundit unë thashë, hajde jini mbrapa që ta shtyni punën”, potencoi Maksim Dimitrievski – kryetar i Komunës së Kumanovës.

Jançev me propozim që këshilltarët e zgjedhur në komunat të jenë me mandat politik, përkatësisht me angazhim profesional, e ngjashme siç janë deputetët.


“Këshillat tona komunale, e kushtojnë shumë Komunën, dhe unë do të propozoja, që të gjithë këshilltarët, ja në Kavadar kemi 18, plus një kryetar, 19 këshilltarë të jenë me mandat 4 vjeçar, që do të thotë mandat politik që do ta shfrytëzonin në pjesën e komunës. .Tani këshilltarët nuk na shërbejnë për asgjë, tekstualisht, një herë në muaj mbajmë seancë, vijnë si makineri partiake që të votojnë ose ta pengojnë votimin”, theksoi Mitko Jançev – Kryetar i Kavadarit.

Për vendosje të listave të hapura më së shumti angazhohen partitë më të vogla. Kryeministri Zoran Zaev që në mandatin paraprak paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë me lista të hapura, por pastaj tha se në zgjedhjet lokale këshilltarët do të zgjidhen në lista të hapura. Edhe pse ka edhe gjysmë vit deri sa të mbahen zgjedhjet lokale, tani për tani ende nuk ka iniciativë për ndryshim të Kodit zgjedhor.