Kryeministri Hristijan Mickoski nesër do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Shën Stefan, në Mal të Zi, ku do të diskutohet për lidhjen ekonomike të rajonit, sigurinë dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian. Samiti është ngjarja përmbyllëse e kryesimit të Malit të Zi, përcjell TV21. Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, në të do të marrë pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili është mbështetës i fuqishëm i përparimit dhe integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Para fillimit të ngjarjes, siç njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, janë paraparë deklarata të shkurtra për mediat. Ndërsa në seancën kryesore, kryeministri Mickoski do të shpalosë mundësitë dhe qëndrimet e Maqedonisë lidhur me ekonominë, sigurinë, integrimin evropian dhe konkurrueshmërinë e rajonit.
