Mickoski: LSDM dhe Levica po pengojnë votimin e diasporës në mënyrë elektronike! Qëllimi ynë, një ditë ta sjellim atë diasporë përsëri në shtëpi

TË FUNDIT

-Partia politike LSDM, në koalicion me partinë politike Levica, paraqitën 13 mijë amendamente për të penguar bashkatdhetarët tanë në diasporë të votojnë, duke u frikësuar se nuk kanë besimin e diasporës sonë. Dhe ky është një mesazh i fortë për bashkatdhetarët tanë në diasporë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me mos-marrëveshjet me opozitën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përcjell TV21. Mickoski tha se votimi elektronik shkurton edhe shpenzimet për votime të diasporës në zgjedhje.

“Por, vija jonë e kuqe është vota e diasporës, sepse diaspora duhet të ndihet e lidhur me atdheun e saj. Qëllimi ynë si qeveri është që një ditë ta sjellim atë diasporë përsëri në shtëpi. Kjo do të thotë, nëse i prisni edhe këtë kanal dhe ata nuk ndjehen se i përkasin atdheut të tyre, çfarë nxitjeje do të kenë për t’u kthyer në shtëpi kur të refuzohen nga vetë komuniteti që është mjedisi i tyre natyral? Ky është qëllimi ynë. Dhe në fund, arrijmë te nxitjet dhe motivet ekonomike. Ne tani po shpenzojmë miliona euro për të dërguar njerëz nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucione të tjera si vëzhgues dhe për të menaxhuar procesin e votimit të diasporës, i cili nuk është i suksesshëm”, tha Mickoski.