Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar paralajmërimet e U.D. kryetar i Gostivarit Valbon Limanit, i cili tha se do ta kontestojë juridikisht vendimin e mundshëm të qeverisë për emërim të përfaqësuesit të qeverisë si kryetar të Gostivarit, pas dështimit të zgjedhjeve në këtë komunë në zgjedhjet e 19 tetorit, për shkak të mosarritjes së censusit.
“U.d. kryetar i Gostivarit nuk e di nëse gjithashtu ka ndarë me ju se ka miratuar në Këshill dy plane të detajuara urbanistike pa mendim nga institucionet, supozoj që nuk e ka thënë. Është vepër penale. Duhet ta ndajë edhe atë me mediat para se të japë sugjerime”, tha Hristijan Mickoski.
Pas kësaj, përmes një sqarimi me shkrim dhe disa dokumenteve të fotografuara, Komuna e Gostivarit njoftoi se, ndoshta Kryeministri është keqinformuar lidhur me procedurën e miratimit të dy Planeve të detajuara Urbanistike. Shtuan se çdo veprim është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin.
“Fakti që planet janë miratuar edhe me votat e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Gostivarit më datë 02.08.2025, tregon se procesi ka qenë i rregullt dhe transparent. Po të kishte pasur parregullsi, këshilltarët nga partia e kryeministrit nuk do të kishin votuar për to”, thotë Komuna e Gostivarit.
Nga komuna shtojnë në fund se për dy planet e përmendura janë kryer dy inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, dhe në procesverbalet përkatëse konstatohet qartë se miratimi i tyre është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, pa asnjë vërejtje apo shkelje.
