Vazhdon saga e mbajtjes së zgjedhjeve në pranverën dhe verën e vitit të ardhshëm. Meqenëse mes dy palë zgjedhjeve, ato presidenciale dhe parlamentare ka hapësirë kohore prej vetëm disa javësh, opozita maqedonase kërkon që dy palë zgjedhjet të mbahen në një datë.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i ofron kryeministrit Kovaçevski të cakton një datë të përbashkët për zgjedhjet, ndërsa e njëjta do të pranohej menjëherë nga VMRO. Sipas tij, është turp që dy partitë po tentojnë të caktojnë datën e zgjedhjeve përmes mediave.
“Ja një propozim i imi. Le ta merr një fletë të bardhë dhe le të shkruajë cilëndo datë që dëshiron mes dy festave më të mëdha fetare në pranverë dhe të mbajmë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale me një harxhim”.
Por nga partia në pushtet LSDM nuk heqin dorë nga qëndrimi i tyre. Ata këmbëngulin që zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të mbahen në termine të ndara. Zëdhënësi i kësaj partie Darko Kaevski, thotë se për të caktuar datat e dy palë zgjedhjeve, do të ulen të bisedojnë në nivel të grupeve punuese.
“Qëndrimi ynë është principiel, i pandryshueshëm. Zgjedhjet do të jenë vitin e ardhshëm në termin të rregullt. Së pari zgjedhje presidenciale e më pas zgjedhje parlamentare. Për datën e saktë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, së pari për ato presidenciale e më pas për ato parlamentare jemi të gatshëm të bisedojmë në nivel të grupeve punuese. Pres që së shpejti të formohen dhe të fillojnë me punë”.
Sa i përket zgjedhjeve, edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski në Click Plus komentoi kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të përbashkëta, duke thënë se nëse VMRO është e bindur në fitore, atëherë pse e kanë aq të rëndësishme nëse do të mbahen bashkë me presidencialet apo ndaras. Që të njejtat duhet të mbahen së bashku, së fundmi u shpreh edhe kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
