Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski refuzoi thirrjen e LSDM dhe BDI që propozimin kroat për ndryshimet kushtetuese ta dorëzojë në grupin e punës për ndryshime kushtetuese. Thotë se i kanë dalë mbi kokë grupet e punës ku disa politikan ulen në hapësirë të mbyllur dhe vendosin për të ardhmen e popullit dhe andaj shtoi se propozimi është ai, ju e përmendët modelin kroat, ne e pranojmë. Vlerëson se për këtë duhet të bisedohet në takim liderësh.
“Nuk do të doja të besoja se një Qeveri e tillë pro evropiane që e përbëjnë BDI dhe partneri i pakicës LSDM do të cenojë rrugën europiane të Maqedonisë tashmë kur kemi propozim në tavolinë që, ja, ne si VMRO-DPMNE, e pranojmë. Unë jam i gatshëm të shpjegoj propozimin tonë para secilit dhe gjithkund dhe këtu nuk kam fare dilema. Kështu që nëse ftohem në takim liderësh pa marrë parasysh se kush e organizon, do të shkoj dhe do të arsyetoj këtë propozim, pa marrë parasysh a do ta bëjë këtë Pendarovski, nëse dëshiron Dimitar Kovaçevski”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Me këtë propozim nuk pajtohen një pjesë e partive shqiptare. Alternativa thotë se nëse Mickoski kërkon një gjë të tillë, atëherë të bisedojmë për ridefinim të Kushtetutës. Nga ana tjetër kryetari i Aleancës, Arben Taravari, thotë se modeli kroat nuk mund të zbatohet në vendin tonë.
Në ndërkohë, nga Ministria e drejtësisë informojnë se është dërguar shkresë deri te Presidenti i shtetit, partitë dhe ekspertët që të nominojnë përfaqësues të tyre që do të marrin pjesë në grupin e punës.
“Në interes të plotësimit të obligimit që del nga korniza negocuese të BE-së nevojitet unitet politik me qëllim që të garantohet perspektiva evropiane e vendit tonë. Për këtë qëllim duhet që të përcaktohet përfaqësues që ka njohuri në të drejtën kushtetuese, që në mënyrë aktive do të marrë pjesë në grupin e punës gjatë përpilimit të ndryshimeve kushtetuese”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Afati për parashtrimin e nominimeve është 10 prilli, ndërsa jozyrtarisht tashmë është vërtetuar se kush do të jenë ekspertët dhe profesorët që do të marrin pjesë në përpilimin e ndryshimeve kushtetuese.
