Mickoski: Kam marrë propozimet e VLEN-it dhe ZNAM-it për ministrat e rinj

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se tashmë i ka marrë propozimet e koalicionit VLEN dhe partisë ZNAM për ministrat e rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë. Ai tha se është i kënaqur me emrat e propozuar dhe pret që përbërja e re qeveritare të punojë edhe më me sukses.

“Po, i kam propozimet për ministrat e rinj nga VLEN dhe ZNAM, por do t’ua lë atyre t’i bëjnë publike. Për mua këto propozime janë plotësisht në rregull dhe pres që në përbërjen e re të kemi rezultate edhe më të mira”, u shpreh Mickoski.

Ai bëri të ditur se VLEN në Qeverinë e rikonstruar do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

Sipas informacioneve jozyrtare, Sedat Sulejmani është propozuar për ministër të Kulturës dhe Turizmit, Agon Ferati do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa profesori i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, Jeton Shasivari, është propozuar për ministër të Drejtësisë, duke pasuar Igor Fillkovin.

Nga ana tjetër, kryetari i ZNAM, Maksim Dimitrievski, njoftoi se partia e tij do të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e cila do të udhëhiqet nga sekretari aktual shtetëror dhe nënkryetari i partisë, Borçe Serafimovski. Ai bëri të ditur gjithashtu se në shtator ZNAM do të marrë edhe një post shtesë të zëvendësministrit në një ministri me rëndësi të veçantë. Ndërkohë, Goran Minçev do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.

Një ditë më parë, Mickoski prezantoi edhe emrat e rinj nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Sasho Klekovski, deri tani drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor, propozohet për ministër të Shëndetësisë, ndërsa vendin e tij në Fond pritet ta marrë ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski.

Për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë propozohet Gjoko Velkovski, aktualisht zëvendësministër në të njëjtin resor.

Ministri i ri i Vetëqeverisjes Lokale pritet të jetë Ivan Stoilkoviq, ndërsa Erxhan Demir është propozuar për ministër pa resor, i ngarkuar me integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve. Mickoski njoftoi gjithashtu se nuk do të ketë më zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë dhe se ky sektor do të kalojë nën kompetencat e Kabinetit të Kryeministrit.

Shumica qeveritare do të zgjerohet edhe me një deputet nga Partia Demokratike e Turqve, e cila do t’i bashkohet koalicionit qeverisës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe do të marrë një post ministri pa portofol.

Në Qeveri mbeten ministrat aktualë të VMRO-DPMNE-së: Vesna Janevska (Arsimi dhe Shkenca), Pançe Toshkovski (Punët e Brendshme), Vllado Misajllovski (Mbrojtja), Borko Ristovski (Sporti), zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska dhe ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski.

Propozimi për përbërjen e re të Qeverisë pritet t’i dërgohet Kuvendit deri të premten, ndërsa zgjedhja e kabinetit të ri qeveritar pritet të përfundojë më së voni deri në mesin e muajit korrik.