Mickoski i prerë: Badenteri nuk preket, është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit! BDI e quan të rrezikshme idenë e Fillkovit

TË FUNDIT

Deklarata e ministrit të drejtësisë Igor Fillkov se duhet të mendohet për rishikimin e shumicës së Badenterit gjatë votimit, për nënkryetarin e BDI-së Arbër Ademi është ide e rrezikshme. Sipas tij, ide të tilla do të tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike, por gjithashtu paraqesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit.

“Për fat të keq po u jepet gjithnjë e më shumë hapësirë forcave politike dhe politikanëve që kanë ide të rrezikshme dhe që mendojnë se shtetet multietnike nuk janë funksionale, dhe që janë mbështetës të shteteve thuajse etnike. Ide të tilla dhe ideologë të tillë janë të rrezikshëm, sepse me këtë tensionohen marrëdhëniet ndëretnike deri në degradim”, tha Arbër Ademi, nënkryetar BDI.

Ministri Fillkov tha se ndoshta ka ardhur koha të mendohet për rishikimin e shumicës së Badenterit, dhe këtë ide e ka propozuar për shkak të, siç u shpreh, keqpërdorimit të saj për të bllokuar ligje dhe vendime. Por kryeministri Mickoski nuk pajtohet me këtë dhe thotë se kjo rregullore është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe se është një çështje e përfunduar.

“Kjo rregullore është pjesë e Marrëveshjes kornizë, Marrëveshja kornizë është pjesë e Kushtetutës, Marrëveshja kornizë është përmbushur plotësisht dhe përfundimisht dhe kjo është një temë e mbyllur. Ajo që përbënte problem thelbësor dhe institucional, dhe kjo është balanca, e dini, ne kemi propozuar ligj për përfaqësim të drejtë”, shtoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Përndryshe, nga BDI reaguan edhe për vendimin e Qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve komunal, për të cilin, siç theksuan, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale. Numri i këshilltarëve në çdo komunë duhet të llogaritet vetëm bazuar në numrin e banorëve dhe pa bërë dallim mes popullsisë rezidente dhe jo-rezidente, ndërsa Ademi tha se me uljen e numrit të këshilltarëve Qeveria cenon përfaqësimin e drejtë në komuna.