Mickoski i nxitur nga gjendja shëndetësore, u dërgon letër ndërkombëtarëve

TË FUNDIT

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i ka dërguar letër faktorit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut. Këtë e ka bërë nga Klinika Infektive.

Duke treguar për gjendjen e tij të vështirë shëndetësore, në letër ai ka adresuar nevojën e prolongimit të Procesit të regjistrimit dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

Këtë, siç thotë ai mes të tjerash në letër, e bën që të zvogëlohen dëmet ndaj shëndetit publik.

“Regjistrimi duhet të anulohet për në shtator, kjo do të mundësojë furnizim të vaksinave dhe vaksinimin e të gjithë regjistruesve, për çfarë do të zvogëlohet dëmi ndaj shëndetit publik. Propozoj që zgjedhjet lokale të mbahen nga 1 deri më 15 nëntor”, thuhet mes të tjerash në letrën që Mickoski ua ka dërguar ndërkombëtarëve.

Ai ka shtuar, se nuk është koha e duhur të bëhet regjistrimi, pasi sipas tij, vendi duhet të përqendrohet në luftën kundër Covid-19.

“Unë nuk dyshoj në nevojën për regjistrim kredibil, por në këtë moment nuk është koha për të njëjtin. Ne duhet të përqëndrohemi, para se gjithash në luftën kundër sfidave shëndetësore të cilat janë para nesh. Kur të kalojë kriza shëndetësore, ne mund sërish të orientohemi drejt regjistrimit”, thuhet mes të tjerash në letër.

Si problem, sipas tij paraqitet edhe mungesa e konsensusit politik për regjistrimin./TV21