Mickoski i kënaqur me treguesit ekonomikë! “Rritjen e ekonomisë së shpejti do ta ndiejnë edhe qytetarët”

TË FUNDIT

Rritja e prodhimit industrial në korrik 2025 prej 4,1 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, e ka ushqyer optimizmin e kryeministrit Hristijan Mickoski për një rritje solide të prodhimit të brendshëm bruto edhe në tremujorin e tretë të këtij viti. Këtë optimizëm ai e bazon në faktin se bartësi më i rëndësishëm i rritjes është industria përpunuese, e cila është rritur me shtatë përqind në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.

Sektorët (korrik 2025/korrik 2024)

TreguesiNdryshimi
Industria e përgjithshme+4,1%
Miniera dhe nxjerrja e gurëve–10,4%
Industria përpunuese+7,0%
Energji elektrike, gaz, avull, klimatizim–7,5%

“Më së shumti gëzon rritja në industrinë përpunuese, sepse aty kemi vlerën më të madhe të shtuar. Unë pres që kjo të ndodhë edhe në muajin e dytë dhe të tretë të tremujorit të tretë, gjë që do të thotë një rritje solide e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e tretë, pas asaj rritjeje të prodhimit të brendshëm bruto që e pres në tremujorin e dytë, i cili pason rritjen në tremujorin e parë prej 3,2 përqind”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Ndërkohë që rritet industria përpunuese, bien disa kategori të tjera si prodhimi i energjisë dhe produktet jo të qëndrueshme për konsum të gjerë. Në këtë grup hyjnë edhe produktet ushqimore si qumështi, frutat e freskëta, barnat, mjetet e pastrimit dhe higjienës personale.

Grupet kryesore industriale (korrik 2025/korrik 2024)

Kategoria GIGNdryshimi
Ndërmjetës (përveç energjisë)+12,5%
Produkte kapitale+18,6%
Produkte të qëndrueshme për konsum të gjerë+2,9%
Energji–6,5%
Produkte jo të qëndrueshme për konsum të gjerë–8,5%

Megjithatë, kryeministri Mickoski është optimist se rezultatet e mira të përgjithshme në prodhimin industrial, së shpejti do t’i ndiejnë edhe qytetarët.

“Pra, kemi me të vërtetë një gjallërim të madh në ekonomi. Këto rezultate që sot i shohim si shifra, do të ndihen shumë shpejt edhe në jetën reale. Ajo që është e rëndësishme, nuk kemi më fuqiplotë politikë që sulmojnë bizneset e suksesshme, nuk ka më kriminalitet dhe korrupsion, nuk ka më shantazhe, nuk ka më përqindje”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë që rritja në industrinë përpunuese vjen nga disa degë si pajisjet elektrike, makineritë, automjetet motorike, mobiliet dhe të tjera, pikë e dobët mbetet sektori i energjetikës.