Procesin gjyqësor kundër organizatorëve të trazirave të 27 prillit 2017 në Kuvend, Kryeministri Hristijan Mickoski e quajti rast të montuar politik me urdhra të qeverisë së Kaluar. 9 vite pas ngjarjes ku turmat e protestuesve kaluan kordonin policorë dhe me forcë hynë në godinën e Kuvendit, kryeministri sot tha se ata janë akuzuar padrejtësisht për terrorizëm, por që është dashur të përgjigjen për vepra tjera penale.
“Bëhet fjalë për rast të montuar politik nga qeveria e kaluar, lëndë e cila sipas meje persona të pa fajshëm u gjykuan për terroristë, të pafajshëm si terroristë, por ata bënë gjënë e caktuar, vepër për të cilën duhej të jepnin përgjegjësi realisht për atë që kanë bërë, por për fat të keq ata janë përgjigjur për terrorizëm, diçka që me të vërtetë ishte e paparë në atë moment. Sa i përket informacioneve tjera të asaj periudhe edhe vet prokurorët e gjykatësit u deklaruan se janë procese të montuara, që kanë qenë të shantazhuar prokurorët dhe gjykatësit me urdhra politik si të bëhet gjykimi dhe për çfarë, njerëzit ishin të liruar nga paraburgimi për tërheqje nga veshi që të vijnë në Kuvend për të votuar ndryshimet Kushtetuese, kështu që me një proces pikëllues”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Reaguan edhe nga LSDM, duke thënë se edhe vetë Mickoski ishte i pranishëm atë ditë në Kuvend, ku të nxitur nga organizatorët u rrezikua jeta e deputetëve, gazetarëve dhe stafit tjerë, të sulmuar brutalisht. Zëdhënësja e LSDM-së Kuzeska tha se 27 Prilli i përgjakshëm, dita më e zezë në historinë e demokracisë vendit, ishte një përpjekje e organizuar për grusht shteti, e drejtuar sipas saj, nga VMRO-ja e Gruevskit.
“Nëntë vjet më vonë, në vend të drejtësisë së plotë – jemi dëshmitarë të përpjekje për një rehabilitim të turpshëm të banditëve. Pasi VMRO-OKG erdhi në pushtet, njerëzit e dënuar për 27 Prillin lirohen nga burgu vetëm me një nënshkrim. Në të njëjtën kohë, të njëjtët njerëz e të njëjtat rrjete aktivizohen përsëri. Batman Velit, i akuzuar për 27 prillin – sot, së bashku me Llatasin, janë bartës të fushatës anti-evropiane dhe sulmeve ndaj LSDM-së përmes rrjetit mediatik të Orbanit. Jane Cento mban konferenca për shtyp dhe kërcënon me padi. Zyrtari kontrovers i inteligjencës Goran Živaljević, njeriu që ishte në Kuvend ditën e sulmit – mbetet simbol i ndikimit të huaj në ato ngjarje dhe të BIA-s. Dëgjojmë përsëri për Sasho Mijalkov dhe Nikolla Gruevski, sot, i njëjti ekip! E njëjta bandë. E njëjta matricë kriminale”, deklaroi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës reaguan duke e quajtur si sulm terrorist protestën me trazira që hynë me forcë në Kuvend. Kreu i kësaj partie, i cili ishte dhunuar brutalisht nga protestuesit, Zijadin Sela tha se ajo turmë ka qenë e destinuar të përmbysë shtëpinë ligjvënëse dhe të eliminojë deputetët shqiptarë më të zëshëm. Sela në postimin e tij tha se regjimi është kthyer dhe organizatorët e vrasësit në tentativë janë të lirë, dhe nuk mund të quhen mbrojtës të shtetit, por vrasës të demokracisë.
