Mickoski: Emrat e rinj, javën e ardhshme! Kasami: Të gjitha postet që ka VLEN-i, i mbeten VLEN-it

TË FUNDIT

Javën e ardhshme do të bëhen të ditura zgjidhjet kadrovike pas largimit të ASH-së së Taravarit nga Qeveria. Dje Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, anëtarët e trupit partiak e kanë autorizuar kryeministrin Mickoski që të nominojë emra të rinj që do t’i zëvendësojnë, siç theksojnë, ata që shkuan në përqafimin e Ahmetit. Mickoski nuk deshi të shpalosë nëse të gjithë funksionarët e kësaj partie do të largohen nga pushteti apo ndoshta disa prej tyre do të vendosin që të qëndrojnë në Qeveri, e as nëse resorët që i kishte Taravari tani do t’i përkasin VMRO-DPMNE-së apo do t’i ndajnë me VLEN-in.

“Në periudhën që vijon shumë çështje do të jenë më të qarta, kështu që kini durim dhe të bisedojmë, ndërsa në ato bisedime, jam i sigurt se do të arrijmë marrëveshje. Pres që gjatë javës së ardhshme të ketë më shumë në lidhje me këtë temë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nuk ka negociata për rokada të mundshme të funksioneve dhe se përderisa nuk ka gjendje të re të gjithë funksionet që deri më tani i ka VLEN-i, i mbeten po VLEN-it, pohon Billall Kasami.

“Nuk ka bisedime për këmbim të ministrive. Unë e dhashë një deklaratë se një ndër shkaqet që e kemi marrë Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë që drejtpërdrejtë Arben Taravari ka kërkuar që të jetë ministër i Shëndetësisë dhe sigurisht, kur bën kombinaturikat për pozicionet, përgjegjësitë që duhet të ndahen, ndahet edhe në bazë të kapaciteteve që i kemi. Unë e thash si një mundësi që nëse do të ketë nga VEN ndonjë kombinaturikë tjetër për ndonjë kuadër tjetër që është më i rëndësishëm, duhet ta bisedojmë me Qeverinë. Për momentin nuk është folur, mbetet Ministria e Shëndetësisë te VLEN-i”, tha Kasami.

Në opinion ka spekulime se është e mundshme që ministrja aktuale e arsimit, Vesna Janevska, ta marrë Ministrinë e shëndetësisë, por ajo as sot nuk u përgjigj konkretisht dhe vetëm tha se ato vendime i sjell kryeministri.

“Unë do të jem aty ku do të vendos kryeministri se shteti ka nevojë për mua”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.

Nga ASH thonë se po i ndjekin pohimet e VMRO-DPMNE-së për partinë e tyre dhe për Taravarin dhe se, siç thonë, në këto ditë të rënda të Qeverisë që është në telashe, nuk janë të befasuar nga akuzat e pushtetit ndaj tyre.