Mickoski akuzon LSDM-në dhe BDI-në për trysni! Mexhiti: Hyrja e ASH-së në Qeveri, e panevojshme

TË FUNDIT

Kreu i opozitares, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, akuzoi se njerëz nga LSDM dhe BDI po ushtrojnë trysni mbi deputetët e pushtetit të cilët, siç pohon, do të votonin për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai këtë e tha nga Ohri pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski dje paralajmëroi se në Aleancën për Europë do të bëjnë pjesën ata që janë “për” një Maqedoni europiane, por se këtu nuk e sheh VMRO-DPMNE-në.

“Nuk do të kishte asnjë person në Parlament i cili nuk dëshiron të ketë një njeri racional që i dëshiron të gjitha të mirat për Maqedoninë, e nuk dëshiron zgjedhje, por ato grupe gjysmë-kriminale që i kontrollon udhëheqësia e lartë e LSDM-së dhe BDI-së dhe janë pjesë e botës kriminale në Maqedoni, tashmë kanë filluar të ushtrojnë presion mbi këta deputetë. Jam i bindur se do të qëndrojnë konsekuentë, sepse lufta për Maqedoninë s’ka çmim, ndërsa kriminelët një ditë do të pendohen për këtë që po e bëjnë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Reaguan nga LSDM prej ku thonë se Mickoski u humb në gënjeshtrat e tij dhe se nuk ka as presione e as shpërbërje të Kuvendit.

“Mickoski u humb në gënjeshtrat e tij edhe sot, në festën e madhe ortodokse i duhet të plasojë gënjeshtra të reja. Në fillim të këtij viti pikërisht në Krishtlindje, Mickoski tha se në fund të janarit do të sigurojë 61 deputetë për shpërbërjen e Kuvendit. Ja, erdhi fundi i janarit, nuk ka shpërbërje të Kuvendit dhe Mickoski duhet lë plasojë gënjeshtra të reja për presione të rrejshme ndaj deputetëve”, thonë nga LSDM.

Por, sa duket gjithnjë e më të zëshme janë paralajmërimet se Aleanca për shqiptarët do të bëhet pjesë e Qeverisë, e kështu po copëtohet edhe forca opozitare në Kuvend dhe numri i deputetëve për të cilët Mickoski pohon se janë kundër pushtetit po bie. Kryetari Arben Taravari thotë se gjatë fundjavës organet partiake do të bisedojnë për hyrje në qeveri, duke shtuar se për këtë ka biseduar edhe me ambasadoren amerikane Anxhela Ageler. Kundër hyrjes së ASH-së është edhe grupi i zjarrit i BDI-së prej ku pohojnë se shumica është e qëndrueshme dhe se një gjë e tillë do të ishte në favor të Artan Grubit. Megjithatë, me hyrjen e ASH-së, grupi i zjarrit të cilit i përkasin tre deputetë të BDI-së në këtë mënyrë do ta humbë ndikimin nëse shtohet shumica parlamentare.

“Sa i përket shumicës, janë të panevojshëm disa nga hapat që po ndodhin këto ditë, për shkak se ka shumicë të qëndrueshme dhe gjithçka tjetër është në favor të shpëtimit të Artan Grubit. Le të hyjë, vazhdimisht po flitet por unë nuk po shoh arsye, ka vetëm një buxhet që të realizohet, një vit para zgjedhjeve ndonjë parti të hyjë në përbërjen qeveritare, megjithatë vendimi është i tyre, nëse vendosin kështu, do t’i jenë patericë Artan Grubit”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Dje kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ASH ka koncept proeuropian dhe se ka shumë gjasa që kjo parti të bëhet pjesë e qeverisë. Megjithatë shtoi se pikësëpari duhet të arrihet marrëveshje politike që do të thotë ndarje e funksioneve kuadrovike.