Hulumtimi i emisionit të parë Biznes21 për atë se ku kanë përfunduar 50 milionë euro për lidhjen energjetike të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, u bë temë e seancës së sotme në Kuvend për pyetje deputetësh. Në përgjigje të pyetjes së deputetit të VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja akuzoi për krim me përmasa epike.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
-Largpërçues, që duhej ta lidhte Maqedoninë me Shqipërinë. Largpërçues, shqiptarët, ne. Nga pajisjet janë sjellë 50%, dy gropa, dy pëllëmbë janë gërmuar për largpërçues dhe 6 milionë në xhep. Tani ne duhet ta anulojmë këtë dhe ta paguajmë.
Në emisionin e parë të Biznes21 hulumtojmë se ku ka ngecur lidhja energjetike të Maqedonisë me Shqipërinë. Si ndodhi që pas 10 viteve premtimesh dhe 50 milionë euro të siguruar që në 2015-tën, të kemi gropë financiare dhe projekt strategjik në ngecje totale.
Në fund të 2024, në dy pjesët e projektit, në terren konstatuam se asgjë nuk ka lëvizur. Trafostacioni Ohër ku realizues është kompania “Konçar” nga Zagrebi e cila e ka marrë tenderin prej 17 milionë eurove, zbuluam se këtë pranverë mori edhe aneks me 3 milionë euro shtesë. Atje puna lëviz nga zeroja.
Por pjesa e dytë ka ngecur tërësisht, largpërçuesi Manastir 2 – Elbasan. Atje hasëm në livadhe të shkreta. Kompania Energoinvest nga Sarajeva e cila po ashtu e mori tender prej 17 milionë eurove, edhe krahas afateve të tejkaluara, kërkon 7-8 milionë euro shtesë. Nënkontraktor i Energoinvest në 2021 bëhet kompania e biznesmeni Nefi Useini, i njohur në atë kohë si këshilltar në komunën e Ohrit, i cili u akuzua për sjellje të dhunshme dhe për ndërtim pa leje.
Hulumtimi tregoi se disa kryeministra dhe ministra kanë hedhur “lopata”. Projekti ka kaluar nëpër duart e 8 drejtorëve të kompanisë shtetërore MEPSO. Të gjithë i pyetëm – çfarë dhe kush e ka penguar këtë projekt për një dekadë të tërë – jo efikasiteti i institucioneve ose bizneset e dyshimta? Pyetëm edhe nëse do të ketë përgjegjësi?