Mickoski akuza për shitjen e rrymës në Shqipëri. “Për 20 orë qytetarët u dëmtuan rreth 10,8 milionë denarë”

TË FUNDIT

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski përmes një postimi në Facebook, të cilit i ka bashkëngjitur edhe fotografi të dokumenteve, ka akuzuar se po plaçkiten qytetarët dhe Elektranat e Maqedonisë. Kjo sipas tij po bëhet me shitjen e rrymës në Shqipëri. Ai hedh dyshime edhe për lidhje korruptuese midis Elektranave të Maqedonisë, Kompanisë Energjetike Shqiptare, kompanisë “ETMT Energy DOOEL Shkup” dhe kompanisë nga Tirana ENERTRADE.

“Maqedonia, qytetarët dhe ELEM/EMV për vetëm 20 orë u dëmtuan për afro 10.800.000 denarë dhe në vend që tepricat t’i ofrohen ekonomisë që paguan sipas HUPX rrymës dhe lufton në mënyrë konvulsive për të mbijetuar dhe mbajtur punëtorët, paratë vidhen dhe përfundonte në xhepa privatë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Pas kësaj, me reagim dolën nga LSDM, nga ku thonë se nëse Mickoski dhe VMRO-DPMNE gënjejnë, dokumentet nuk gënjejnë, ndërsa kanë publikuar  dokument se si gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së çmimi i rrymës është rritur për 100%.  

“Në vitin 2006, vit kur VMRO-DPMNE e mori pushtetin, çmimi i një kilovat rrymë ishte 2,95 denarë për kilovat orë. Në vitin 2017, kur VMRO-DPMNE del në opozitë, çmimi për kilovat orë është 4,95 denarë, që është 100 për qind rritje. Mickoski gjatë kësaj periudhe ishte drejtor i ELEM-it dhe këshilltar i Nikolla Gruevskit për energjetikë”, thonë nga LSDM.

Akuzat e opozitares ndaj pushtetit janë se EMV po i shet tepricat e natës me çmim më të lirë se çmimet në bursë, gjë që sipas tyre bën që tregtarët fitojnë miliona euro në kurrizin e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.