Gjatë një interviste ditet e fundit për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Michael Schumann, kryetar i Bordit të Shoqatës Federale Gjermane për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë e Jashtme, vuri në dukje se në vitin e parë të Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës, Gjermania dhe madje tërë Evropa i kushtojnë më shumë rëndësi zhvillimit të gjelbër të Kinës. Kina po përpiqet për tranzicionin e gjelbër dhe në këtë drejtim Evropa e Kina kanë konsensus të gjerë.
Schumann tha gjithashtu se ka besim të plotë te ekonomia kineze, që po zhvendoset drejt zhvillimit me cilësi të lartë, ndërsa Kina mbetet përsëri garantuese e qëndrueshmërisë ekonomike. Ndërkohë, Kina po vazhdon zgjerimin e hapjes, duke u ofruar ndërmarrjeve siguri, në dobi të nxitjes së ekonomisë botërore.
”E kemi ndjekur me vëmendje të madhe Kinën, dhe, me rastin e nisjes së planit të ri pesëvjeçar, mendoj që novacioni, tranzicioni i gjelbër dhe prodhimi i përparuar janë fushat që u interesojnë më shumë kompanive gjermane dhe evropiane, por edhe vendeve e popujve tanë. Kina ka bërë përparim të madh në të gjitha këto fusha dhe mendoj që marrëdhëniet e pjekura midis nesh nënkuptojnë që dialogu dhe shkëmbimet e mëtejshme do të jenë me dobi të ndërsjellë“, tha Schumann.
“Ne kemi shumë fusha interesi, por mendoj se një nga më të rëndësishmet është ende tranzicioni i gjelbër. Jetojmë në një kohë kur dekarbonizimi dhe mbrojtja e klimës janë bërë tema shumë të debatueshme. Nga njëra anë, nëse shikoni qëndrimin e administratës aktuale amerikane, do të zbuloni se ata nuk besojnë më aq shumë te tranzicioni i gjelbër, duke vënë në pikëpyetje shkencën dhe duke e riorientuar shumë modelin e tyre ekonomik, motorin ekonomik, drejt lëndëve djegëse fosile. Nga ana tjetër, Kina po investon seriozisht në dekarbonizimin e tranzicionin e gjelbër dhe po ndërton burime për energji të gjelbër, në mënyrë të pashembullt në botë. Siç e kam thënë më parë, Evropa ende beson që ne duhet të bëjmë diçka për dekarbonizimin, sepse është i rëndësishëm për planetin ku jetojmë, për të ardhmen tonë të përbashkët. Pra, në këtë drejtim jemi të një mendimi me Kinën.”
Ai theksoi: “Prej kohësh kam qenë i sigurt për rritjen e Kinës. Kina po e arrin objektivin e saj, dhe jo vetëm në shifra, por edhe në cilësinë e rritjes, sepse mendoj që modeli i rritjes ka realizuar një transformim thelbësor. Rritja e nxitur fillimisht nga ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, investimet në infrastrukturë, tani po bëhet një rritje shumë më cilësore. Sigurisht do të donim të shihnim që njerëzit në Kinë të konsumojnë më shumë, gjë që e ndihmon Kinën të zhvillojë tregjet e saj të brendshme dhe konsumin familjar gjithashtu.”
“Një politikë e bashkërenduar e hapjes u mundëson kompanive të kenë një horizont planifikimi afatgjatë dhe të kontribuojnë në qëndrueshmëri. Mendoj që parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria janë monedha globale e aktivitetit ekonomik. Shumë aspekte të aktivitetit ekonomik ndërkombëtar dhe të tregtisë globale janë bërë mjaft të paparashikueshme kohët e fundit. Pra, besoj që Kina është ende një garantuese e qëndrueshmërisë. Nëse Kina do të hapet në më shumë sektorë të ekonomisë së saj dhe i bën kompanitë që të besojnë në angazhimet e saj e të bëjnë planifikim afatgjatë, kjo është e dobishme për tërë ekonominë botërore.”
