Mexhiti thërret Taravrin të reflektojë! “Është pjesë e koalicionit, e dëshirojmë brenda VLEN-it”

TË FUNDIT

“Taravari duhet të vendos ose me neve në Qeveri ose me BDI-në në opozitë!” – ky është qëndrimi i kreut të LD-së Izet Mexhiti i cili paralajmëroi se brenda javës koalicioni VLEN do të shkrihet në një parti. Ai tha se në takimin e mbrëmshëm nuk ka qenë prezent Taravari, por ishin anëtarët e partisë së tij, siç e cilësoi nga gjysma e ASH-së. Mexhiti tha se nuk janë të gatshëm për partner të dytë qeverisës shqiptar.

“Publikisht e ftoj të reflektoj z.Taravari, është pjesë e VLEN-it, e dëshirojmë brenda VLEN. Qytetarët, votuesit kërkojnë që subjektet e koalicionit të shkrihen në një subjekt që të ketë dy tabore politike në kampin politik shqiptar, ky është opsioni më i mirë të ketë konkurencë ndërmjes shqipatrëve, mos të jetë një subjekt por mos të jenë as 10 subjekte që të përqahet dhe të digjet vota shqiptare”, tha Mexhiti.

Brenda VLEN-it sherri plasi kur Taravari edhe publikisht pranoi se ka komunikim me BDI-në. Kryetari i ASH-së mbrëmë në Click Plus akuzoi se edhe Mexhiti takohet me integristët.

“Z.Mexhiti ka komunikim me plot njerëz me Musa Xhaferin ose me Fatmir Dearin ose me ndonjë eksponent tjetër. Edhe deputetët tanë kanë komunikim në Kuvend. Edhe të Besës jo që janë të izoluar por nuk insistoj se kryetarët janë takuar bashkë, por komunikime në një shtet ku ka 1,5 milion banorë në një Kuvend ku ka 120 deputetë, është normal që të ketë komunikim”, deklaroi Taravari.

Duke komentuar këtë Mexhiti tha se komunikimi dhe marrëveshja ka dallim.
Për shkrirjen e VLEN-it në një parti, Mexhiti shtoi se nuk është me rëndësi se cili do të jetë kryetar dhe se nuk e kanë në koncept “bajraktarizmin”.
Kujtojmë që nga 14 deputetë që ka Koalicioni VLEN, 5 janë të ASH-së së Taravarit. Ky numër përmbush kushtin për të formuar grup të ri parlamentar, në rast të një ndarje nga partneriteti qeverisës.