Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot prezantoi planin për shndërrimin e rrugës “Mid’hat Frashëri” në bulevard, përcjell TV21. Mexhiti tha se bulevardi do të jetë me 4 korsi, me shtigje për biçikleta, dhe do të mundësojë qasje më të lehtë të studentëve nëpër universitetet e Çairit, por njëkohësisht do ta lidhë Çairin me Shutkën dhe qendrën e qytetit të Shkupit.
“Gjatë vitit të parë të mandatit tonë, një nga prioritetet kryesore pas ndërtimit të bulevardit “Cvetan Dimov”, do të jetë shndërrimi i rrugës “Mitat Frashëri”, ish brigada maqedono-kosovare, në një bulevard modern me gjatësi 1850 metra, dhe profil 25 metra. Në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Shkupit. Ky bulevard do të ketë katër korsi, shtigje për biçikleta e këmbësorë si dhe gjelbërim ndërmjet korsive. Ai do të ofrojë më shumë siguri, funksionalitet dhe estetik për banorët, duke u ulur vonesat dhe rritur efikasitetin e transportit urban. Bulevardi i ri “Mitat Frashëri” do të lidhet drejtpërdrejt me rrugën “Xhon Kenedi”, duke lehtësuar qasjen e studenteve drejt universiteteve dhe duke forcuar lidhjen mes Çairit, Shuto Orizarës dhe qendrës së Shkupit. Në fazën pasuese parashihet edhe shndërrimi i rrugës “Xhon Kenedi” në bulevard, duke ndërtuar kështu një qark të ri urban funksional dhe bashkëkohor për gjithë qytetarët”, th Mexhiti.
Kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani premtoi zgjidhje të problemit me parkingjet, përcjell TV21. Osmani premtoi që në plan afatshkurtër, në çdo lagje do të ketë së paku dy vend-parkime. Në periudhë afatmesme, Osmani tha se janë paraparë gjithsej 2.500 vende të reja parkimi.
“Në çdo rrugë, në çdo mëhallë, do të ketë së paku dy parkingje. Edhe ato në dy mënyra, dy opsione. Në një, komuna do të dizajnojë ose do të caktojë zonë interesi dhe do të blejë një hapësirë, një shtëpi, një oborr, të cilin do e shndërrojë në parking pa pagesë për qytetarët. Dhe e dyta, do t’ju jep mundësi qytetarëve që të japin shtëpitë e tyre ose oborret e tyre. Komuna do ua shndërron në parking, mirëpo ata do e shndërrojnë në biznes ose në partneritet privato-publik me komunën dhe do i japin me pagesë. Domethënë, në çdo rrugë të Seravës, Gazi Babës, Dixhonit, më së paku do ketë dy parkingje për atë mëhallë, për atë rrugë, një pa pagesë dhe një me pagesë”, theksoi Osmani.