Mexhiti në Bruksel: Komunat, kyçe në procesin e integrimit në BE

TË FUNDIT

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti po merr pjesë në Bruksel në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC) pranë Komitetit Evropian të Rajoneve, së bashku me përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga vendet e BE-së dhe vendet kandidate. Mexhiti thotë se në fokus të takimit ishte shkëmbimi i përvojave, forcimi i bashkëpunimit mes komunave dhe sfidat e procesit të integrimit evropian, me theks të veçantë në rolin e pushtetit lokal. Sipas tij, integrimi në BE mbetet prioritet strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa komunat luajnë rol kyç në zbatimin e reformave dhe përafrimin e standardeve lokale me ato evropiane.

“Sot ndodhemi në Bruksel, ku po mbahet sesioni i Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC) pranë Komitetit Evropian të Rajoneve. Në këtë forum jemi bashkë me përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga vendet kandidate për anëtarësim. Sesioni shërben për shkëmbim përvojash, forcim të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe diskutim të sfidave që lidhen me procesin e integrimit evropian, me fokus të veçantë në rolin e pushtetit lokal në këtë rrugëtim. Integrimi në BE mbetet prioritet strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa komunat kanë rol kyç si në procesin eurointegrues ashtu edhe në zbatimin e reformave, duke qenë partnerë të drejtpërdrejtë në përafrimin e standardeve lokale me ato evropiane dhe në përmbushjen e agjendës së integrimit. Në këtë kontekst, diskutimet i kemi përqendruar në rrugën drejt anëtarësimit, vazhdimin e reformave dhe fuqizimin e rolit të pushtetit lokal si hallkë e rëndësishme që e afron vendin tonë me familjen evropiane”, shkroi Mexhiti.