Mexhiti: Ahmeti dhe Osmani publikisht të përgjigjen! A do të vazhdojnë të qëndrojnë para derës së VMRO-së, ta lusin Mickoskin për të hyrë në qeveri?

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka kërkuar nga kryetari dhe nënkryetari i BDI-së që publikisht të tregojnë nëse, siç thotë ai, do të vazhdojnë ta lusin kryeministrin Hristijan Mickoski për t’u bërë pjesë e qeverisë, përcjell TV21. Ky reagim i Mexhitit vjen pasi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani e quajti Mickoskin “albanofob”.

Në lidhje me: Mickoski i garanton Ahmetit pensionim politik, reagon Bujar Osmani

“Ja e shfrytëzoj mundësinë edhe publikisht ta pyes edhe Osmanin edhe Ahmetin, a do të bëjnë qeveri me Mickoskin? Siç rrinin gjatë gjithë kohës para derës dhe me kë donin të bënin qeveri, pikërisht me Mickoskin. Ja publikisht po i pyes tani, të përgjigjen a do të ndalojnë ose do të vazhdojnë tutje të rrinë para derës së VMRO-DPMNE-së dhe para Mickoskit, ta lusin, edhe pa kryetar të Kuvendit, me më pak ministra, siç thonë edhe partnerët e tyre që nuk janë më me ta. Dmth a do të vazhdojnë tutje të bëjnë qeveri me “albanofobin” Mickoski? Publikisht duhet të përgjigjen për këtë”, tha Mexhiti.