Meta: Qytetarët e Kosovës meritojnë sa më parë liberalizimin e vizave me BE

TË FUNDIT

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin të lirë dhe pa viza në Bashkimin Evropian.

Me një shënim, të cilin e ka ndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Meta pohon se edhe presidenti i Sllovenisë i ka konfirmuar faktin se e mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i shtetit pohon se me homologun e Sllovenisë ka diskutuar po ashtu për vijimin e procesit të dialogun mes Kosovës e Serbisë, proces ky, i cili do të t’i hapte rrugë zhvillimit dhe integrimit evropian për të dyja vendet.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë sa më parë liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Të njëjtin qëndrim më shprehu sot edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin gjithashtu nënvizuam rëndësinë e vijimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme nga të dyja palët, që do të përshpejtonte proceset integruese të këtyre vendeve”,  shkruan Meta.

Presidenti i vendit thotë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është ndryshimi i kufijve, por heqja e tyre përmes bashkëpunimit të ngushtë siç kanë bërë vetë vendet e Bashkimit Evropian.

“E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është ndryshimi i kufijve por heqja e tyre si në vetë Bashkimin Europian, nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe të distancimit nga e kaluara e hidhur”, tha ai.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë qëndrimit në Shqipëri tha se historia e ka dëshmuar qartësisht se ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perendimor nuk ka ndodhur pa flijime, ndaj për të, ide të tilla nuk duhen mbështetur./EN