Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot në Budapest, në takimin me homologun e tij hungarez Janosh Ader, ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhduar të cilën Hungaria ia jep Shqipërisë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Mikpritje e ngrohtë dhe miqësore në Budapest, nga homologu im, Janos Ader. Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian, që na ka motivuar më shumë për të vijuar në rrugën e pakthyeshme të reformave dhe plotësimit të të gjitha kushteve të domosdoshme për çeljen e negociatave për anëtarësim”, shkroi Meta në Fejsbuk.
Shton se me kënaqësi ka konfirmuar se marrëdhëniet e shkëlqyera, historike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë meritojnë të forcohen dhe të thellohen më tej, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Sipas Metës bashkërisht kanë vlerësuar se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara aq sa duhet dhe se shkëmbimet tregtare, ekonomike dhe turistike janë ende larg mundësive të prekshme.
“E falënderova presidentin Ader për kënaqësinë e veçantë, që më dha, për të përuruar së bashku bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Budapest, simbol të rifreskimit të bashkëpunimeve të ngushta mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe së ardhmes së tyre premtuese”, theksoi Meta.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, si dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, i cili inaugurimin e bustit, të cilin e ka bërë bashkë me kolegun e tij, Gergeli Karaskoni, ditën e sotme e ka quajtur ditë të shkëlqyer për marrëdhëniet ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë.
Busti i Skënderbeut i cili është dhuratë nga Tirana për Budapestin është vendosur në parkun qendror përballë bustit të heroit hungarez Janosh Hunadi.
