Meta dënohet me 567 milionë dollarë për dëmet ndaj fëmijëve në rrjetet sociale

TË FUNDIT

Meta është urdhëruar nga një gjykatë në shtetin amerikan të New Mexico të paguajë 567 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara ndaj fëmijëve përmes platformave të saj, Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Sipas vendimit të gjykatës, 420 milionë dollarë do të dedikohen për trajtim dhe mbështetje të të rinjve, ndërsa pjesa tjetër e fondit do të financojë programe ndërgjegjësimi, parandalimi, shqyrtimi dhe mbulimin e kostove të tjera gjatë pesë viteve të ardhshme.

Vendimi vjen vetëm disa muaj pasi, në mars, një juri urdhëroi Metën të paguante edhe 375 milionë dollarë dëmshpërblim, duke konstatuar se kompania kishte dëmtuar me vetëdije shëndetin mendor të fëmijëve. Me këtë, detyrimet financiare të kompanisë në këto procese gjyqësore arrijnë në 942 milionë dollarë.

Meta ka njoftuar se nuk pajtohet me të dyja vendimet dhe se do t’i apelojë ato.

Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s, Raul Torrez, e cilësoi vendimin si një fitore të rëndësishme për prindërit dhe fëmijët, duke theksuar se ai dërgon një mesazh të qartë për përgjegjësinë që platformat digjitale kanë në mbrojtjen e të miturve.

Ndërkohë, Meta vazhdon të përballet me mijëra padi të ngjashme nga familje që pretendojnë se rrjetet sociale kanë ndikuar negativisht në shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve.