Mësuesi kosovar pjesë e Microsoft

TË FUNDIT

Mësimdhënësi kosovar Berat Bejtullahu, me qëllim të ngritjes së njohurive dhe fitimit të përvojave të reja, me ftesë speciale nga Microsoft do të marrë pjesë në Forumin botëror të arsimit “Global Educator Exchange”, i cili në periudhën prej 28 prill deri më 1 maj do të mbahet në selinë e Microsoft-it në Redmond, Uashington.

Bëhet fjalë për mësimdhënësit, të cilët në mënyrë bashkëkohore dhe inovative kanë arritur ta fusin praktikën edukative, teknologjitë inovative dhe shkathtësitë e shekullit të XXI’të, në mjedisin ku mësojnë dhe punojnë nxënësit.

Mësimdhënësi Berat Bejtullahu, i shkollës fillore “Zekiria Rexha”, i cili bashkë me nxënësit e tij krijuan projektin e ashtuquajtur “Fëmijë të mençur-planet të shëndetshëm”, me idenë që fëmijët t’i aplikojnë teknologjitë e mençura, për ardhmërinë e planetit Tokë, i cili po përballet me ndotje të llojeve nga më të ndryshmet, duke filluar nga ndotja e ajrit, ujit, tokës, e deri tek fushat e rrezikshme elektromagnetike të shkaktuara nga antenat.

Qëllimi i Beratit ka qenë t’i analizojë shkaktarët e ndryshëm të ndotjes dhe të bëjë matjen, duke filluar në kuadër të shkollës, e më pastaj edhe ndotjen e tërë qytetit, që më në fund me ndihmën e të dhënave të grumbulluara të mund të ndikojnë tek nxënësit e tjerë, tek shkollat dhe pushteti, duke i ballafaquar me pasojat dhe rreziqet në të cilat të gjithë janë të ekspozuar.

Nxënësit, me këtë aktivitet, jo vetëm që do të mësojnë t’i zbatojnë teknologjitë inovative, por edhe do të arrijnë njohuri të dobishme në fushën e biologjisë, të kulturës qytetare, fizikës dhe kimisë.

Gjithashtu, si pëfitim më i madh është se nxënësit në të ardhmen do të jenë qytetarë të përgjegjshëm dhe do ta kenë të njohur rëndësinë e planetit të shëndetshëm./21MEDIA