Nuk pajtohen me konceptin e ri të bashkimit të lëndëve mësimore, kërkojnë respektimin e marrëveshjes kolektive me rritje urgjente të pagave të mësimdhënësve. Kjo është kërkesa e mësimdhënësve që dolën në protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre nga gjendja në të cilën ndodhen. Protesta filloi para parkut “Gruaja Luftëtare” në Shkup, ku erdhën një numër i madh i mësimdhënësve me bilbila dhe me pamflete në të cilat shkruante “Gjeografia mbijetoi në kohën e inkuizicionit, do të mbijetojë dhe tani” me çka kërkuan të mos bashkohen lëndët e historisë dhe gjeografisë. Prej aty marshuan deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku fjalim mbajti kryetari i sindikatës së arsimit, Tomisllav Gievski, i cili tha se me këtë do të shkelet integriteti profesional i mësimdhënësve si dhe do të ulet numri i vendeve të punës.
“Opinioni duhet ta dijë se lënda Shkencat natyrore në klasën e pesë që ka përmbajtje nga fizika, Kimia, Biologjia dhe Gjeografia i jepet atij që i bie ta ligjërojë. D.m.th. nëse i bie në gjeografi, do t’i ligjërojë të gjithë përmbajtjet. Në orën e parë të historisë dhe shoqërisë, mos dhëntë Zoti që të fillojë ky koncept, unë si mësimdhënës i gjeografisë nxënësve do të duhet tu ligjëroj për Egjiptin e vjetër, prej nga di unë, ose në lëndën Shkencat natyrore në klasën e gjashtë, nxënësve do të duhet tu ligjërojë për elektricitetin si mësues i gjeografisë. Kjo nuk është e pranueshme dhe ne e kundërshtojmë”, tha Tomisllav Gievski, kryetar i Sindikatës së Mësimdhënësve.
Gievski thotë se deri te ministri i arsimit Jeton Shaqiri kanë dërguar disa shkresa por përgjigje nuk kanë marrë e as janë thirrur në takim. Paralajmëroi se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të ndërmarrin hapa më radikalë duke organizuar grevë.
“Opinioni publik duhet të jetë i njoftuar se në sektorin e arsimit me vite të tëra nuk respektohen marrëveshjet kolektive. Rroga më e ulët për shkallën më të ulët të kompleksitetit për momentin në sektorin e arsimit është 12 mijë denarë si neto, ndërsa ne jemi të vetëdijshëm se rroga minimale është 20.175 denarë. Kur bëhet fjalë për arsimtarët atëherë vazhdimisht po thonë se nuk ka para, se shteti është në krizë, por pamë se në mënyrë ekspresë gjetën mënyrë që t’i rrisin rrogat e funksionarëve shtetërorë për 78%”, deklaroi Tomisllav Gievski, kryetar i Sindikatës së Mësimdhënësve.
Pakënaqësinë e tyre e shprehën edhe pjesë e mësimdhënësve që morën pjesë në protestë.
Këto ditë nga Ministria e arsimit dhe shkencës thanë se zbatojnë dialog social dhe se gjatë viteve të kaluara rrogat e mësimdhënësve janë rritur. Në lidhje me integrimin e lëndëve, nga MASH-i me qëndrim se bëhet fjalë për koncepcion të ri në arsim dhe se presin efekt pozitiv, se kjo nuk parasheh shfuqizim të përmbajtjeve arsimore dhe se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë dhe pa orë mësimi.
