Merkel-Hollande, takim për refugjatët

TË FUNDIT

Dy liderët e Gjermanisë dhe Francës do të takohen sot në Berlin për të diskutuar mbi mënyrat sesi të kontrollohet vala e refugjatëve, që po hyjnë në Europë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande do të diskutojnë rreth njerëzve që po kërkojnë azil, pasi numri i azilkërkuesve është më i madhi në 50 vitet e fundit.

Takimi i ditës së hënë ka të bëjë me vendosjen se cilat vende nuk do të konsiderohen azilkërkues, pra do të bëhet një listë me emrat e shtetasve të cilëve nuk do të përfitojnë të drejtë azili në Europë. Kriza, e spostuar në fokusin e udhëheqësve europianë, i nxit ata që të diskutojnë rreth strategjive për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Gjithashtu dy liderët do të bisedojnë rreth krizës së emigrantëve në Greqi dhe Itali, që t’i ndihmojnë të ndajnë se cilët janë azilkërkuesit dhe cilët refugjatë ilegalë.

Sipas ministrit të Jashtëm francez, Laurent Fabius, Merkel dhe Hollande do të përpiqen t’i ofrojnë një stimul të ri reagimit të Bashkimit Europian ndaj mijëra emigrantëve, që vazhdojnë të mbërrijnë në brigjet e Europës.

Vetëm muajin e kaluar llogaritet të kenë hyrë 107 mijë vetë, çka ngjall frikën se blloku mund të mos jetë në gjendje t’i bëjë ballë kësaj situate.

Bisedimet mes Merkelit dhe Hollande, vijnë pas refuzimit, që anëtarët e BE-së i bënë propozimeve të kreut të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për vendosjen e një sistemi kuotash të detyrueshme pranimi të refugjatëve.

Mesdheun llogaritet ta kenë kaluar këtë vit 250 mijë emigrantë dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin bën të ditur se, deri në fund të vitit, kjo shifër do të shkojë në më shumë se 300 mijë.