Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJD dhe AAK

TË FUNDIT

Ministria në detyrë e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e  Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga të gjitha funksionet e saj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Haradinaj-Stublla ka thënë se ndodhet në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj saj dhe familjes së saj dhe për këtë arsye ka konsideruar obligim moral dorëheqjen.

Ky është shkrimi i plotë i Haradinaj-Stubllës:

Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.

Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi.

Nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë! Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda.

Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar.