Qeveria ka paraparë mbi 15 milionë euro për luftën kundër ajrit të ndotur. Përveç kësaj, çdo ministri ka ndarë mjete për mbrojtjen e ambientit jetësor. Gjithashtu është realizuar një pjesë e madhe e gazifikimit, ndërsa planifikohet që nëpër Shkup të qarkullojë tramvaj elektrik. Këto janë masat kundër ndotjes enorme të cilat i prezantoi kryeministri Zaev në seancën e sotme për pyetjet e deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev-it.
“Gazifikimi po realizohet, për momentin mund të them se janë realizuar mbi 83% të planeve të parapara. Ndërtohen dy korridoret kryesorë Negotinë – Kavadar – Prilep – Manastir dhe korridori tjetër, Tetovë – Gostivar. Qeveria synon që t’i përfundojë takimet e saj pune me Qytetin e Shkupit dhe të fillojë një projekt i cili do të mundësojë që në Shkup të qarkullojë tramvaj elektrik me vlerë të projektuar prej rreth 100 milionë eurove”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
“Populli dhe qytetarët prej jush kërkuan dhe menduan se ju i keni përgjigjet, përkatësisht, se e keni zgjidhjen e problemit për ajrin e ndotur. Ju dhe shëtitjet tuaja me maska kundër ndotjes nëpër qytetin e Shkupit asocuan për këtë, dhe në këtë temë ju fituat më shumë vota”, u shpreh Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Antonijo Milloshoski pyeti se pse pushteti ngutet që t’i emërojë ambasadorët e rinj, Teuta Arifi në SHBA, Dane taleski në NATO, Misho Dokmanoviq në Izrael dhe Sashko Nasev në Bullgari. Do të jemi në gjendje të pakëndshme, persona politikë të dërgohen në qendra të rëndësishme diplomatike ndërsa pastaj pas ndryshimit të pushtetit, të tërhiqen, tha ai.
“Mos dërgoni ambasadorë të cilët e gëzojnë besimin vetëm e një partie ose koalicioni, që në qershor, korrik ose në gusht të duhet të kthehen prapa në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Kryeministri Zaev konfirmoi se kanë diskutuar për dy ambasadorë, por për dy të tjerë aspak nuk kanë folur. Ai shtoi se shteti patjetër duhet t’i formojë këto vende të ambasadorëve, tha Zaev.
“Përmendët katër emra, por për dy aspak nuk kemi diskutuar. Për dy, po, kemi diskutuar, por ndoshta Presidenti nuk do të japë pëlqim, ndoshta ministria deri në fund do të vendosë se dikush prej tyre nuk duhet të shkojë, etj. Unë nuk do të kisha dashur të jap qëndrime të mia, por dua që shteti t’i formojë vendet e ambasadorëve, siç është për shembull, vendi i ambasadorit në NATO”, potencoi Zoran Zaev, kryeministër.
Zaev, i pyetur për rritjen e rrogave në arsimin, tha se për nesër është caktuar takim me SASHK-un dhe ministrin Arbër Ademi.
