“Ka shumë viktima që janë fëmijë”, thotë zëdhënësi i Human Rights Watch, Ahmed Benshemski në emisionin “21Analizë” në TV21 pas përleshjeve mes Izraelit dhe Palestinës.
“Një pacient i rritur hiqet nga respiratori për ta vënë një fëmijë, reanimacioni është plot me të plagosur”, thotë Benshemski.
Sipas tij, një pjesë e madhe e popullsisë në Gaza janë fëmijë.
“Ka shumë viktima që janë fëmijë, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës janë fëmijë. Më shumë se gjysma e popullsisë. Ka 2.2 milionë banorë, pra të paktën 1.1 milionë. Në spitale, më shumë se 60% e pacientëve dhe të plagosurve janë fëmijë. Kështu tha drejtori i përgjithshëm i shëndetësisë në Gaza. Tani po përballemi me situata shumë prekëse. Për shembull, një mjek në një kompleks shëndetësor në veri tha se Njësia e Kujdesit Intensiv ishte e stërmbushur me të plagosur, kështu që ata duhej të shkëputnin respiratorin nga një pacient i rritur për ta përdorur atë për një fëmijë 10-vjeçar. Ata në thelb zgjedhin të shpëtojnë një jetë dhe të heqin dorë nga tjetra sepse nuk kanë pajisje të mjaftueshme. Situata është e tillë. Kur flasim për fëmijët, duhet të flasim edhe për gratë shtatzëna, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për të sëmurët dhe të plagosurit, por edhe për nevoja të rregullta mjekësore”, thotë Benshemski.
