Nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, sepse Maqedonia ka mjaftueshëm rezerva të mallrave, kështu të paktën theksoi drejtori i Agjencisë së mallrave, Resi Abduramani.
“Panik nuk shoh në Ukrainë ku bëhen luftimet ku vriten shkatërrohen në çdo moment. Agjencia për rezerva të mallrave është mjaftueshëm e furnizuar dhe e ka gjithë sasinë e mallrave dhe llojeve të mallrave që janë të përcaktuara me ligj. Përveç mallrave rezervë edhe sektori privat ka, kështu që nuk shoh hapësirë për shqetësim sa i përket furnizimit me produktet elementare ushqimore këtu te ne”, tha Resi Abduramani, drejtori I Agjencisë për Rezervat e Mallrave.
Abdurramani tha se Maqedonia, kryesisht furnizohet nga Serbia, Kroacia, Bullgaria, por pa marrë parasysh qytetarët duhet të jenë të qetë se pa mallra nuk do të ngelin. Ndërkaq ai theksoi se duhet të jenë të përgatitur për çdo situate dhe se për këtë Qeveria ka formuar grup pune i cili punon në këtë drejtim.
“Mund të paraqitet mungesë në treg por ne kemi mjaftueshëm kohë sa për tu furnizuar edhe prej Amerike nëse askund në Evropë nuk ka, d.m.th qytetarët le të rrinë të qetë dhe të sigurt sepse pa ato elementaret nuk do të mbeten. Qeveria ka formuar grupe të ndryshme pune të cilat e përcjellin situatën e analizojnë tregun, secili e bën punën e vet dhe nuk mendoj se do të vij në gjendje që të ketë mungesë për ndonjë artikull”, deklaroi Resi Abduramani, drejtori I Agjencisë për Rezervat e Mallrave.
Edhe presidenti Stevo Pendarovski në Utrinski brifing ka theksuar se ka rezerva të mallrave, por sipas tij nëse zgjat kriza me Ukrainën atëherë do të ketë probleme.
“Në bazë të gjitha parametrave nga drithërat e deri karburantet ne jemi brenda normave të cilat janë të parapara për situatat e tilla, pra jemi të furnizuar. Problem do të jetë nëse kriza zgjat një kohë më të gjatë”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Sa është saktë sasia e mallrave nuk mund të dihet se kjo është informatë e klasifikuar.
