Me Safe City janë ulur aksidentet në komunikacion! Kamerat kanë regjistruar 120 mijë shkelje në komunikacion

TË FUNDIT

Në pesë muajt e fundit, që nga fillimi i funksionimit të sistemit Safe City, kamerat kanë regjistruar 120 mijë shkelje të rregullave të komunikacionit. Këtë e deklaroi ministri Pançe Toshkovski në raportin për dy vitet e tij në krye të policisë, duke shtuar se falë funksionimit të këtij sistemi është ulur numri i viktimave dhe i aksidenteve në komunikacion. Ai theksoi gjithashtu se deri në fund të këtij viti planifikohet zgjerimi i sistemit Safe City edhe në qytetet e tjera të vendit.

“Nga fillimi i zbatimit të tij, më 2 shkurt 2026, gjatë pesë muajve të parë është shënuar ulje e numrit të viktimave në aksidentet e komunikacionit me rreth 40 për qind, përkatësisht 34 viktima, krahasuar me 55 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri më 22 qershor 2026, përmes sistemit janë regjistruar mbi 120 mijë shkelje të komunikacionit, prej të cilave më shumë se 95 për qind kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar”, tha Toshkovski.

Toshkovski foli edhe për luftën kundër tregtisë së paligjshme me drogë, duke thënë se janë goditur 11 grupe të organizuara kriminale dhe janë parandaluar 9 transporte ndërkombëtare të marihuanës dhe kokainës, gjatë të cilave janë sekuestruar rreth 6.2 tonë drogë narkotike. Megjithatë, Toshkovski nuk zbuloi se deri ku ka arritur hetimi për 5 tonët e marihuanës që u sekuestruan në Serbi.

“Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Prokurorinë Publike, ka ngritur kallëzim penal ndaj një pjese të personave të përfshirë në transportin e marihuanës nga Maqedonia drejt Serbisë. Ekipe të përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë Financiare, Doganës dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare kanë punuar gjatë kësaj periudhe për këtë rast”, deklaroi Toshkovski.

Nga LSDM-ja me kritika për dy vitet e punës së Toshkovskit, për të cilin thonë se solli shpërbërje të plotë të sistemit të sigurisë, skandale, partizim, mosndëshkueshmëri dhe mbrojtje të kriminelëve.

“Toshkovski premtonte drejtësi dhe thoshte: “Edhe po ta kem vëlla, do të përgjigjet”, por sot askush nuk mban përgjegjësi. Krimi dhe korrupsioni kanë lulëzuar gjatë dy viteve të fundit. Nuk ka përgjegjësi për asnjë tender kriminal, nuk ka përgjegjësi as për pesë tonët e drogës që kaluan kufirin. Prej dy vitesh, MPB-ja e Toshkovskit nuk e ndjek krimin, por e mbron krimin e pushtetit”, tha LSDM.

Ndryshe, Toshkovski foli edhe për gjendjen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht për rritjen e pagave me 10 për qind. I pyetur për informacionet se të punësuarit nuk kanë sigurim shëndetësor, ai tha se bëhet fjalë për probleme teknike dhe se kjo çështje tashmë, duke filluar nga sot, është tejkaluar.