Me paradë solemne të nxënësve nis “Vera Kulturore 2026” në Çair

TË FUNDIT

Komuna e Çairit sot do të hapë edicionin e ri të manifestimit tradicional “Vera Kulturore Çair 2026”, i cili do të zgjasë një muaj dhe do të ofrojë një program të pasur kushtuar kulturës, artit dhe traditës.

Hapja do të shënohet me programin treditor “Ditët e Fëmijëve”, që do të mbahet nga 1 deri më 3 qershor në disa lokacione – në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në Sheshin Skënderbeu dhe në oborrin e Xhamisë së Murat Pashës.

Programi nis më 1 qershor në ora 17:00 me një paradë solemne të nxënësve të shkollave fillore të Çairit, të veshur me kostume tradicionale dhe me pankarta të shkollave të tyre. Kortezhi do të lëvizë nga “Zegini”, përmes Çarshisë së Vjetër, deri në Sheshin Skënderbeu, ku më pas do të zhvillohet një program kulturor-artistik.

Në ditët në vijim janë planifikuar një sërë paraqitjesh të nxënësve, shoqërive kulturo-artistike dhe grupeve të fëmijëve, duke përfshirë këngë, valle, recitime, dramatizime dhe ekspozita të punimeve artistike të fëmijëve.