“Më mirë me ndihmë sociale sesa me punë/ ”Sociologu: Keqpërdoret, marrin ndihmë dhe punojnë në të zezë

TË FUNDIT

Shumë qytetarë në Maqedoni jetojnë me ndihmë sociale, ndërsa Shkupi është qyteti me më së shumti qytetarë të cilët e marrin këtë ndihmë. Sipas hulumtimeve të organizatës IDEA tre komunat me më së shumti pranues të ndihmës sociale në vitin 2021 kanë qenë komuna e Shuto Orizares me 2,189 pranues (22.71% nga totali i rajonit të Shkupit), komuna e Çairit me 2,027 pranues (20.94% nga totali) dhe komuna e Sarajit me 1,055 pranues ( apo 10.90% nga totali).


Vetëm këto 3 komuna përbëjnë 54% të numrit të përgjithshëm të pranuesve të ndihmës sociale në rajonin e Shkupit, ndërsa së bashku me komunën e Studeniçanit përbëjnë 64% të numrit të tërësishëm të pranuesve.
Në anën tjetër, 3 komunat me më së paku numër total të pranuesve të ndihmës sociale janë komuna e Zelenikovës me 55 pranues, ajo e Ilindenit me 71 pranues si dhe ajo e Sopishtes me 74 pranues.
Por pse është numri kaq i madh. Sociologu Liman Aliji thotë se për shkak nevojave të shumta shumica e keqpërdorin, marrin ndihmë dhe punojnë në të zezë.
“Te komuniteti shqiptar mungon vetëdija tek njerëzit të cilët punojnë, pranojnë që të punojnë nëpër disa ndërmarrje, por pa u paraqitur si persona që punojnë në atë ndërmarrje, por faktikisht janë persona që punojnë në të zezë, ose që punojnë me gjysmë orari të punës. Domethënë duhet të ngritët vetëdija tek punëdhënësit fillimisht që të mos pranojnë njerëz pa mos i paraqitur si persona të cilët punojnë tek ata.”- deklaroi Liman Aliji, sociolog.

Sipas statistikave të Agjencia për punësim deri me datë 31.07.2023 janë evidentuar 105948 persona të papunë. Në Shkup ka më së shumti të papunë, rreth 22007 persona gjithsej , prej tyre 12603 janë shqiptarë.