Më mirë Ligji për Amnisti apo dënimet alternative? “Shërbimi i provës zgjidhje afatgjate në këtë drejtim”

TË FUNDIT

Aplikimi i dënimeve alternative do ta përmirësonte dukshëm gjendjen në burgjet e vendit, thotë drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviç. Në pyetjen se sa ligji për amnisti, do të ndihmonte në reduktimin e numrit të të burgosurve, Stojanoviç vlerëson se numri i të burgosurve që do të amnistohen është shumë i ulët në raport me numrin e atyre që janë në listën e pritjes për të hyrë në burg. Sipas tij shërbimi i provës është zgjidhje afatgjate në këtë drejtim.

“Në raport me ligjin për amnisti nuk do të doja të komentoja asgjë. Ne vetëm i japim të dhënat që i kërkon ministri, respektivisht Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria. Numri total që do të lirohej sipas përllogaritjeve të atëhershme është 286 persona të gjykuar. Kapaciteti maksimal i burgjeve është rreth 2000 dhe mendoj se në pritje për burg janë diku 3500 persona në total. Mendoj se shërbimi i provës është zgjidhje afatgjate, ndërsa për amnistinë ia lë të tjerëve të vendosin, strukturave më të larta dhe qeverisë”, theksoi Jovica Stojanoviç,  drejtor i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve.

Edhe zëvendësministrja e drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq mendon se shërbimi i provës do të përmirësonte sistemin e burgjeve.

“Mund të theksojmë se zëvendësimi i dënimit me burg me dënim alternativ, veçanërisht implementimin e shërbimit të provës ka rëndësi të madhe për reduktimin e mbingarkesës së burgjeve si dhe përmirësimin e sistemit të burgjeve”, tha Viktorija Avramovska Madiq, zëvendësministre e Drejtësisë.

Sipas ligjit për shërbimin e provës personat ndaj të cilëve shqiptohet një dënim i tillë është alternativ dhe përfshin burgun shtëpiak, kryerjen e punëve me interes publik, lirimin me kusht, kryerjen e mbikëqyrjes mbrojtëse të shqiptuar me dënim me kusht. Për momentin në vendin tonë ka 28 persona të profesionalizuar për shërbim të provës të cilët punojnë në 366 lëndë.