Me gjithë pasojat nga Covid-19, Hong-Kongu ka ruajtur forcën konkurruese

TË FUNDIT

Ndërsa tregtia rifilloi në tregjet financiare të Hong-Kongut të martën pas festës së Vitit të Ri Kinez, zyrtarët e kësaj qendre globale financiare thanë se Hong-Kongu ka treguar qëndrueshmëri dhe ka ruajtur forcën konkurruese gjatë vitit të kaluar, me gjithë pasojat e COVID-19.

Ndërsa pandemia vuri në provë tregjet ndërkombëtare, statusi i Hong-Kongut si qendër financiare ka mbetur i fortë, duke treguar gjallëri të madhe dhe duke bërë përparim të konsiderueshëm, tha kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam në videofjalimin e saj në Ceremoninë e Hapjes së Tregut të Vitit të Ri Hënor të Bursës Kineze të Arit dhe Argjendit në Hong-Kong.

Pavarësisht nga kufizimet e udhëtimit që ndikuan mbi tregtinë globale të arit vjet, Hong-Kongu e ktheu shpejt biznesin e vet në rrugën e duhur dhe bëri përparim të mëtejshëm, duke përfshirë ndërtimin e lidhjeve më të ngushta me tregjet e pjesës kontinentale, tha Lam.

Duke u bërë jehonë komenteve të saj rreth forcës financiare të Hong-Kongut, Paul Chan, sekretari financiar i qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, theksoi se tregjet financiare të Hong-Kongut treguan “qëndrueshmëri të pakrahasueshme” gjatë vitit të kaluar në një ceremoni në Kompaninë e Bursave dhe Kleringut të Hong-Kongut të martën.

“Ne jo vetëm që kemi ruajtur stabilitetin financiar, por kemi arritur rezultate të kënaqshme në shumë fusha, duke përfshirë vlerën e përgjithshme të qarkullimit dhe kapitalizimin e tregut të aksioneve, si dhe mbledhjen e fondeve prej ofertave publike fillestare,” tha ai.

Chan theksoi se këto rezultate kishin ardhur falë themeleve të forta të Hong-Kongut dhe forcës së tij konkurruese si qendër kryesore financiare globale.