​Më afër se kurrë drejt ëndrrës për t’u kualifikuar në Botëror! Sonte ndeshja Andorrë–Shqipëri

TË FUNDIT

Kombëtarja shqiptare është shumë pranë një arritjeje historike në kualifikueset e Botërorit 2026. Kuqezinjtë do të përballen sonte me Andorrën në orën 20:45, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për fatin e tyre në Grupin K.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 11 pikë, pas Anglisë që ka 18 pikë dhe tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën finale. Pas kuqezinjve ndodhet Serbia me 10 pikë, ndërsa Letonia ka 5 dhe Andorra vetëm 1 pikë.

Nëse Shqipëria arrin të fitojë sonte ndaj Andorrës dhe në të njëjtën kohë Serbia pëson humbje ndaj Anglisë, atëherë skuadra e drejtuar nga Silvinjo do ta sigurojë matematikisht vendin e dytë në grup dhe për pasojë kualifikimin në fazën “play-off” për Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në vitin 2026.

Një skenar i tillë do t’i jepte Shqipërisë mundësinë që ta mbyllte fushatën kualifikuese me qetësi, përpara ndeshjes së fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania”.

Duke u bazuar në tabelën aktuale të Grupit K, situata para ndeshjeve të sotme është si më poshtë:

Anglia – 18 pikë (6 fitore në 6 ndeshje)

Shqipëria – 11 pikë (6 ndeshje)

Serbia – 10 pikë (6 ndeshje)

Letonia – 5 pikë (7 ndeshje)

Andorra – 1 pikë (7 ndeshje).