Një muaj e ndan opozitaren Aleanca për Shqiptarët nga Kongresi i partisë, ku mes organeve të tjera do të zgjidhet edhe kryetari i ri. Po a dëshiron kryetari aktual Ziadin Sela që edhe për një mandat të jetë në krye të ASh-së? Një përgjigje të prerë nuk e ka! E pranon se më shumë do të dëshironte të ishte pranë familjes, por shton se rikandidimin e vendosë edhe situata me aktualitetin politik.
“Në qoftë se flas për “unë”, dëshira ime është me të vërtetë që të jem më afër familjes. Me të vërtetë unë kam bërë aq sa kam bërë në politikë, nuk e di a kam bërë mirë ose keq, këtë le ta vlerësojë populli. Po të flasim për dëshirat e mia, ka edhe shumë dëshira të tjera, ndoshta që nuk shkojnë aspak me rolin e Ziadinit politikan, kryetar partie ose politikan në jetën publike. Ka qenë një intervistë ndryshe nga të tjerat, në të cilën jam pyetur se si unë dua, por nga ana tjetër si e do situata, unë e thash, jam në funksion të anëtarësisë dhe funksion të shqiptarëve. Mendoj se ka kohë deri në kongres dhe mendoj që nuk kontribuoj mirë në qoftë se e shoh veten time. Nëse e shoh veten time më besoni se do ta kisha më të jetë jetën time”, tha Sela.
Kandidati i dytë më i përfolur për kryetar të ASH-së është Arben Taravari, aktualisht Sekretar Gjeneral në largim, i cili gjatë konferencës për media qëndroi në krah të Selës. Taravari kohë më parë u pat shprehur se kandidaturën mund ta mendojë vetëm nëse Sela nuk rikandidon.
“Kështu që mos keni asnjë dilemë, unë thash, do të jeni dëshmitarë dhe një gjë ta dini, unë as nuk e kam ndër mend të privatizoj vullnetin politik dhe aktivitetin politik të çdo anëtarë të ASh-së”, tha Sela më tej.
Sela njoftoi sot se për shkak se janë në prag të Kongresit, është ndërprerë procesi i anëtarësimit. Aktualisht ASh numëron rreth 11 mijë anëtarë, prej të cilëve rreth 3.500 janë anëtarë të rinj.
