Kjo nënë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë që më 9 shtator të rihapen çerdhet. Për shkak se vetë është punëtore shëndetësore dhe burri punon në sektorin privat, thotë se do ta rikthejë fëmijën në çerdhe. Për 6 muaj për fëmijën është kujdesur e gjyshja.
Nuk ndjen rrezik që fëmija i saj po rikthehet në çerdhe, pasi protokollet i cilëson si të mira.
Si kjo nënë, rikthimin në çerdhe e kanë kërkuar edhe rreth 600 prindër të tjerë. Nga çerdhja “Fidani” sigurojnë se janë ndërmarrë të gjitha masat që të realizohet procesi edukativ nën masa kundër Kovid-19.
“Mund të them se mbi 160 prindër i kanë sjellë vërtetimet. Po flas për prindërit e rinj, kurse prindërit e vjetër mbi 400 gati janë bërë”.
A keni hapësira të mjaftueshme për të realizuar edukimin edhe në këto kushte?
“Po, i kemi krejtësisht. Me krevate, me çarçafë, të cilat duhet të kenë edhe rezerva nga dy palë. Objektet dhe dhomat i kemi rregulluar. Janë dezinfektuar”, deklaroi Nakije Sejdini, motër kryesore në çerdhen “Fidani”.
Masat parashohin që fëmija para se të hyjë në çerdhe t’i dezinfektojë këmbët në hyrje, t’u matet temperatura. Nëse temperatura është nën 37 gradë, i dezinfekton duart dhe hynë në çerdhe.
Lodrat dhe tepihët janë larguar nga objekti i çerdheve, ndërkaq lojërat fëmijët do të mund t’i realizojnë në ambient të hapur, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ndërkaq ministrja e Punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpanska tha se nëse në një çerdhe ka numër të madh të fëmijëve që duan ta ndjekin edukimin dhe nuk ka hapësira, atëherë transferohen në çerdhen më të afërt.
“Nëse një fëmijë shfaq simptome gjatë qëndrimit në çerdhe, është e nevojshme që çdo çerdhe të caktojë nga një person me mundësi medicinal për kontakt me Qendrën e Shëndetit Publik”, deklaroi Filipçe.
“Nëse çerdhet kanë më shumë vende , do të thotë mund të kujdesen për më shumë fëmijë, atëherë mund të regjistrojnë edhe fëmijë të tjerë”, tha Shahpaska.
Në tërë shtetin në çerdhe mund të edukohen 19 mijë fëmijë, ndërkaq interes për të dërguar fëmijën në shkollë kanë shprehur mbi 14 mijë prindër. Edukimi i fëmijëve në çerdhja do t’u lejohet vetëm në rast se të dy prindërit janë në punë dhe nëse janë prindër vetëushqyes.
