Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi për intensifikimin e aktiviteteve ndërtimore, duke paralajmëruar ndërtimin e gjashtë segmenteve të autostradave në mbarë vendin në periudhën e ardhshme. Ai tha se sot në Maqedoni po ndërtohet në më shumë se 1.200 lokacione dhe se për Qeverinë kjo është shumë e rëndësishme, sepse angazhohet operativa vendore, gjë që është një tregues serioz për aktivitet më të mirë ekonomik, përcjell TV21. Në fund të këtij muaji, me gjasë më 26 gusht, theksoi Mickoski, do të fillojë ndërtimi i pjesë së dytë të autostrdës Bllacë-Shkup, për të cilin, tha ai, janë përfunduar të gjitha procedurat formale.
“Përfundimisht, për këtë projekt dhjetëvjeçar, i cili ishte paralajmëruar, kemi një realizues, bëhet fjalë për një kompani vendore, kemi mbikëqyrje, janë plotësuar të gjitha kushtet që të fillojë ndërtimi i kësaj autostrade. Në shtator pres të fillojë edhe një segment tjetër autostrade, ai është Bukojçani – Kërçovë, ndërsa me dinamikë të shtuar të përfundojmë autostradën Kërçovë – Ohër. Pres që segmenti nga Izvor deri në Vërbjani të lëshohet në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa i gjithë segmenti të përfundojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, 2027”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi gjithashtu se me dinamikë të shtuar po vazhdojnë aktivitetet ndërtimore në tre segmentet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d-Prilep-Manastir, Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan.
“Gjithsej, përafërsisht gjashtë segmente autostradale do të ndërtohen dhe kjo është gjithashtu një aktivitet i madh dhe i intensifikuar ndërtimor. Kur kësaj t’i shtohet edhe hekurudha, seksioni 2, i cili praktikisht është pjesë e Korridorit 8 (krahu lindor), dhe seksioni 3, për të cilin pres që së shpejti të shpallet thirrja publike, pasi të gjitha sfidat administrative janë tejkaluar, kjo do të thotë se do të kemi vërtet një ndërtim intensiv. Dhe nëse gjithçka shkon siç duhet, me përfundimin e studimit të fizibilitetit dhe në fillim të vitit të ardhshëm nisjen e Korridorit 10, nëse, natyrisht, të gjitha sfidat që kemi zgjidhen. Pres që të mos ketë pengesë që të zgjidhet”, theksoi kryeministri.
Siç tha ai, sot në Maqedoni po ndërtohet në më shumë se 1.200 lokacione dhe se për Qeverinë kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm sepse angazhohet operativa vendore dhe kjo përbën një tregues serioz për aktivitet më të mirë ekonomik.
“Ajo që për mua është gjithashtu e rëndësishme si kryeministër është fakti se aktiviteti ekonomik sjell edhe rezultate të mira ekonomike. Dhe në periudhën që vijon pres gjithnjë e më shumë aktivitet të tillë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, i cili përbën një nga shtytësit dhe bartësit e aktivitetit ekonomik në Maqedoni. Nuk mund të zgjidhim gjithçka – diçka që është lënë pas dore dhe nuk është zgjidhur për dekada, por premtojmë se gjithçka që mund ta zgjidhim, madje do të përpiqemi edhe më shumë se kaq, do ta realizojmë”, shtoi Mickoski.
