“Credi Yes” është shoqëria financiare për kredi të shpejta, të cilës Ministria e Financave ia hoqi licencën e punës për shkak të parregullsive në funksionim.
Shoqëria financiare, pas së cilës qëndrojnë pronarë nga Bullgaria, po i mbyll rreth 40 filialet e saj në gjithë vendin, ndërsa gjithashtu rreth 120 punonjës kanë marrë njoftim se aktiviteti është ndërprerë. E vetmja veprimtari që “Credi Yes” do të ketë të drejtë të vazhdojë është arkëtimi i kërkesave të saj financiare.
Ministria e Financave dje njoftoi se i është hequr leja e punës një prej shoqërive më të mëdha financiare në treg, pasi gjatë një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme të kryer pas ankesës së një qytetari janë konstatuar shkelje serioze të obligimeve ligjore, pa u bërë e ditur konkretisht se për çfarë shkeljesh bëhet fjalë.
“Mbikëqyrja konstatoi shkelje të rënda të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe praktika me të cilat qytetarët – përdorues të shërbimeve financiare – janë vënë drejtpërdrejt në rrezik.
Për shkak të peshës së shkeljeve të konstatuara dhe seriozitetit të parregullsive të evidentuara, Ministria e Financave në muajin maj solli vendim për heqjen e lejes së punës së shoqërisë financiare”, njoftoi ministria.
Kujtojmë se “Credi Yes” filloi punën në Maqedoni në vitin 2019. Vitin e kaluar, nga rreth 4 milionë euro të ardhura, realizoi fitim prej rreth 1,15 milionë euro.
Burimi: Faktor.mk
