Pacientët e ri të shtruar në Klinikën Infektivë në Shkup janë me pasqyrë klinike më të rëndë, ku sëmundja zhvillohet më shpejtë. Personat të cilët kanë marrë dy doza të vaksinës kanë pasqyrë më të lehtë klinike thotë drejtoresha e Spitalit Infektiv, Milena Stevanoviq. Numri më i madh i pacientëve janë nga mosha 30 deri 45 vjeçare, gjegjësisht moshë mesatare, për dallim nga vala e parë ku virusi sulmonte më tepër të moshuarit.
“Nëse i krahasojmë me pacientët tjerë, personat të cilët kanë pranuar dy doza të vaksinës janë me pasqyrë më të lehtë klinike, por presim se si do të zhvillohet. Por gjithsesi pasi janë pranuar në spital kanë pasur nevojë për trajtim spitalor. Të përsëris edhe një herë vaksinimi është i domosdoshëm. Asnjë vaksinë 100% nuk mund të ju mbrojë, por një numër i madh i të vaksinuarve nuk do të jenë në rrezik të infektohen edhe ato të cilët do të infektohen pasqyra e tyre klinike do të jetë më stabile”, deklaroi Stevanoviq.
Nga mbrëmë është hapur spitali modular, pasi që Klinika Infektive ka plotësuar të gjitha shtretërit. Familjarë të ngushtë të pacientëve po u sjellin ushqim e gjësende higjienike.
Disa të brengosur rrinin pranë spitalit modular duke pritur ndonjë lajm për të afërmit e tyre.
Kishte edhe furgon me të cilin po merrnin pacientin i cili kishte ndërruar jetë.
Stevanoviq shotë se nuk ka të dhëna nëse personat me pasqyrë të rëndë klinike janë të infektuar me variantin Delta apo indian të koronavirusit, por ka shtuar, se shumica prej tyre janë ose të pavaksinuar ose me një dozë të vaksinës
“Prej mbrëmë kapaciteti i spitalit modular fillon gradualisht të mbushet. Gjithsej ka 101 pacientë që janë të hospitalizuar. Gjatë ditës së djeshme janë pranuar 19 pacientë që kanë një pasqyrë të rëndë klinike. Spitali është i mbushur më shume me pacientë të moshës së mesme për dallim nga më para ku dominonte mosha më e vjetër”, tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se 10% e pacientëve të shtrirë në spitale janë të vaksinuar. Ka njoftuar se sot janë regjistruar rreth 1 mijë raste të reja me Covid-19.Ndryshe gjatë ditës së djeshme u vë në funksion në tërësi reparti në “8 Shtatori” ku ka ende shtretër të lirë.
