Mbrojtja: Pushteti ishte në duart e komandantëve lokalë, Hashim Thaçi nuk kishte mundësi të parandalohet apo ndëshkonte krimet

TË FUNDIT

Në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur deklaratën hyrëse që pritet të zgjasë tri orë.

Avokati Gregory Kehoe në nisje të seancës tha se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të lidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencialë”, shkruan REL.

“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencialë. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.

Avokati Gregory Kehoe tha se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalohet apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës.

Ai tha se Thaçi, dhe Azem Syla, që atëbotë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ishin në Rambuje, kur Syla u shkarkua dhe u zëvendësua me Sylejman Selimin.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

Gregory Kehoe tha se klienti i tij nuk ka pasur motiv që të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës.

Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.