Ushtria e Kuvajtit njoftoi sot se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar raketa dhe dronë “armiqësorë”, por pa saktësuar se nga ishin lëshuar.
Në njoftim thuhet se shpërthimet e fuqishme që u dëgjuan në mbarë vendin ishin pasojë e veprimit të sistemeve kundërajrore, të cilat neutralizuan kërcënimet. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet dhe masat e sigurisë të lëshuara nga institucionet përgjegjëse.
Incidenti ndodhi pasi më herët forcat amerikane kryen sulme ndaj, siç deklaroi Uashingtoni, një operacioni iranian me dronë që paraqiste kërcënim për forcat amerikane dhe trafikun tregtar detar në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Irani konfirmoi aksionin amerikan dhe njoftoi se ishte kundërpërgjigjur me sulm ndaj një baze ajrore amerikane në orën 04:50 sipas kohës lokale, pasi SHBA-të në orët e hershme të mëngjesit kishin goditur një zonë pranë aeroportit në qytetin portual Bandar Abbas. Teherani nuk zbuloi vendndodhjen e saktë të bazës që ishte objektiv i sulmit.
Kuvajti, ku ndodhet një bazë ajrore amerikane, ende nuk ka konfirmuar nëse raketat dhe dronët e interceptuar ishin iranianë.
