Ka përafrim të qëndrimeve mes krerëve qeveritarë dhe sindikatave sa i takon rritjes së pagave në administratën publike.
Nuk bëhet e ditur përqindja, pasi siç thonë nga sindikatat nuk duan të dëmtojnë procesin, por thonë se “inkurajon fakti që ka rritje të përqindjes së rritjes së pagës nga ana e funksionarëve dhe përafrim të qëndrimeve me kërkesat e sindikatave”, u tha pas takimit të sotëm në Ministrinë e Financave, transmeton TV21.
Takimi i radhës do të jetë të hënën, deri atëherë sindikatat do të kryejnë konsulta të brendshme në lidhje me ofertën e sotme të Qeverisë.
Megjithatë, sindikatat janë optimiste për zgjidhje.
“Na inkurajon hapi që e kanë ndërmarrë përfaqësuesit e Qeverisë dhe hapi që ne si sindikata e kemi bërë sot në mbledhje dhe presim që në këtë mënyrë mund të arrijmë deri në një zgjidhje për një kohë të shkurtër, gjegjësisht deri në fillim të javës së ardhshme të kemi të definuar se çfarë dhe si do të ndodh me pagat e të punësuarve në sektorin publik, në çfarë përqindje do të rriten dhe pagesa e regresit. Ministria e Financave presim që të realizojë llogaritë shtesë dhe gjatë ditës t’i ndajë me ne që të mund të sjellim më pas vendime në organet dhe trupat tonë”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë./TV21
