“Më këto masa ne u dërgojmë një sinjal të qartë njerëzve në vendet e origjinës”, thotë Manfred Schmidt. “Po qe se ti i hyn rrugës së kërkimit të azilit, atëherë me shumë gjasa, ti nuk ke më shans të hysh në mënyrë legale në vendin tonë.” Kreu i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët mbrojti ndaj kritikave kërkesën e tij që azilkërkuesve me shanse të pakta për azil t’iu hiqen paratë e xhepit prej 143 eurosh. Për këtë nevojitet një ndryshim në ligjin për ndihmat që iu ofrohen azilkërkuesve, sqaron Schmidt. “Landet e federatës mundet kështu që në qendrat e pranimit të kalojnë pa hezitim nga ofrimi i parave tek ofertat materiale.” Për Manfred Schmidt shikon tek oferta e parave në dorë një ndër arsyet themelore për rritjen drastike të kërkesave për azil nga njerëzit nga Ballkani.
Shqiptarë të punësuar në firmat gjermane?
Ndërkohë në debatin për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si “vende të sigurta origjine” pozicionohet edhe ministri gjerman i Integrimit të landit të Renanisë Veriore-Vwestfalisë, Guntram Schneider (SPD), i cili për shërbimin evangjelist të lajmeve, epd të shtunën (08.08) u shpreh se ai nuk shikon ndonjë përparësi nga ky kategorizim. “Po qe se ne duam të ndalim fluksin e ardhjes duhet të japim kontributin tonë që të ndryshojnë kushtet e jetesës në këto vende.” Kështu duhet bërë presion që në Serbi të drejtat e njeriut të vlejnë edhe për pakica etnike si sinti dhe roma, thotë Schneider. “Por kjo nuk mund të thuhet se është kështu për momentin.”
Ndërsa lidhur me propozimin e fundit të socialdemokratëve për krijimin e mundësive të punësimit për njerëzit nga Ballkani Perëndimor, vijnë sinjale pozitive nga fraksioni i Unionit kristiandemokrat. “Ne duhet të shfuqizojmë disa profesione ku ka mungesë punëtore verifikimin e prioritetit për vendin e punës”, është shprehur deputeti gjerman i CDU-së dhe kreu i grupit të punëmarrësve në Bundestag, Peter Weiß për gazetën gjermane “Rheinische Post”. “Në këtë mënyrë firmat gjermane mund të punësojnë më shumë shqiptarë apo kosovarë.”
