Mbi 9 milionë të infektuar në gjithë botën

TË FUNDIT

Sipas të dhënave të fundit, në botë me koronavirus deri tani janë infektuar 9.109.885 persona. Prej tyre kanë vdekur 471.759, ndërsa janë shëruar 4.879.462 njerëz.

– Në Kosovë dje vazhdoi trendi i shifrave të larta të rasteve të infektuara, ndërsa sot ishte shënuar edhe një viktimë e re nga Kovid-19 (një burrë 70 vjeçar), me çka numri i të sëmurëve  të cilët kanë vdekur nga paraqitja e  epidemisë  u rrit në 37. Nga 439 testimet e kryera gjatë ditës së djeshme, pozitiv rezultuan 93,  ndërsa  nga gjithsej 21.517 teste,  deri tani si të infektuar  janë regjistruar 2.169 persona. Duke e marrë parasysh  se si të shëruar udhëhiqen  1.047 raste, prej të cilëve 29 dje,  numri i bartësve aktiv të virusit  në Kosovë arrin 1.085. Mediat kosovare sot  publikuan se Ministria e Shëndetësisë  ka rekomanduar të mos testohen  më rastet  me kontakt, por vetëm personat  në klinika të caktuara dhe ato të cilët kanë simptoma më të rënda të Kovid-19.

– Në Shqipëri, me 33 rastet e fundit të konfirmuara me Kovid-19,  numri i tërësishëm u rrit në 1.995 persona. Betejën me virusin e rrezikshëm e kanë fituar 1.159,  e kanë humbur 45,  ndërsa raste aktive janë 791 persona. Në ditët e fundit rritet numri i personave të hospitalizuar, dhe arrin 81, që është numër më i lartë deri tani. Prej tyre dhjetë janë në terapi intensive dhe një është vendosur në aparat respirator.

– Në Serbi në 24 orët e fundit janë konfirmuar  96  raste të reja pozitive  të koronavirusit, ndërsa një person vdiq. Janë bërë 345.260 testime. Nga fillimi i epidemisë  janë infektuar 12.990 persona,  vdiqën 262, ndërsa për momentin aktive janë 731 raste. Në aparat respirator janë  19 persona, ndërsa përqindja e vdekshmërisë është 2,02 për qind.

– Në Bosnja e Hercegovinë në 24 orët e fundit  ka 33  raste të reja me Kovid-19 nga gjithsej 543 të testuar. Deri tani janë bërë  48.328 teste,  ndërsa virusi është konfirmuar te  1.594 persona. Duke e përfshirë edhe ditën e sotme,  janë shëruar 996 pacientë, ndërsa për momentin aktive janë  552 raste. Enti federal për shëndet publik kumtoi se ka gjithsej 46 raste të vdekjes.

– Në 24 orët e fundit në Kroaci  janë regjistruar 19 raste të reja,  me çka numri i tërësishëm  nga fillimi i pandemisë arriti 2.336. Deri tani janë testuar  72.746 persona,  prej të cilëve  268 në 24 orëshin e fundit. Në shërim spitalor janë nëntë persona, askush nuk është në aparat respirator.  Siç është kumtuar nga Shtabi  kombëtar për mbrojtje civile, numri i tërësishëm i të vdekurve arrin  107.

“Në 24 orët e fundit në Greqi  janë regjistruar  21 raste të reja me Kovid-19, prej të cilëve pesë,  janë nga testet e kryera sipas zgjedhjes së rastit të udhëtarëve nga fluturimet e vendeve të huaja. Numri i tërësishëm i të infektuarve në vend u rrit në 3.287 persona.

– Nga 1.039 teste të kryera,  në Qipro janë regjistruar  dy raste të reja me Kovid-19 gjatë testimit të udhëtarëve të cilët kanë ardhur në vend.  Nga fillimi i epidemisë  pozitiv me koronavirus janë 988 persona,  ndërsa në spitalet qipriote nuk është hospitalizuar asnjë pacient.

– Numri i të vdekurve nga Kovid-19 në Britani të Madhe  sot u rrit për 15, në 42.647. Kjo  është vdekshmëria më e ulët ditore e sëmundjes  nga mesi i muajit mars, kumtuan sot autoritetet shëndetësore. Bilanci i viktimave  nga koronavirusi i ri në Britani e arriti  pikun e saj në mes të muajit prill, kur në periudhën prej nëntë  ditëve arrinte  më shumë se  jë mijë të vdekur./MIA